Florian Wirtz është një yll në rritje në Bundesligë. 18-vjeçari tashmë është reprezentues i Gjermanisë. Ftesën e mori pas paraqitjeve të shkëlqyera për Bayer Leverkusenin, ku llogaritet pasardhës i Kai Haverzit, i cili vitin e shkuar u largua nga klubi gjerman për t’u transferuar te Chelsea.
“Floriani ka gjithçka që i nevojitet një futbollisti për të pasur një karrierë të jashtëzakonshme”, tha drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes. “Ai është një djalë i ri të cilin ne duhet ta inkurajojmë, ta zhvillojmë dhe ta përgatisim për detyrat që i presim prej tij në të ardhmen. Ai përfundimisht do të jetë ylli i ardhshëm i Gjermanisë”.
Wirtz u bë lojtari më i ri që arriti në kuotën e dhjetë golave në Bundesligë – elitën e futbollit të Gjermanisë – kur të shtunën e shkuar shënoi golin e fitores në shtëpi për Leverkusenin kundër skuadrës së Mainzit. Këtë të diel, Arminia Bielefeldi, që po lufton për të mbetur në Bundesligë, do të jetë ekipi tjetër që përpiqet ta ndalojë adoleshentin për të shënuar gol apo për të asistuar.
“Kemi një duel të vështirë me Leverkusenin dhe duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë Wirtzit, i cili ka shpërthyer kohët e fundit. Ai mbetet njëri prej lojtarëve më të rrezikshëm tek ekipi kundërshtar”, pranoi trajneri i Bielefeldit, Frank Kramer.
Katër golat dhe katër asistimet e tij këtë sezon e kanë ndihmuar Leverkusenin të ngjitet në vendin e dytë në tabelë, me tri pikë më pak se Bayern Munichu që është lider dhe me të cilin do të përballet brenda dy javëve.
Edhe
Wirtzi jep sinjale për largim nga Leverkuseni
Wirtz, një mesfushor me tipare sulmuese, i cili gjithashtu luan edhe në krah, bëri debutimin në Bundesligë në maj të vitit 2020, dy javë pas ditëlindjes së 17-të dhe katër muaj pasi firmosi kontratë profesionale me Leverkusenin, pas transferimit nga akademia e të rinjve të Koelnit, rivalit të madh. Ai që atëherë ka vendosur autoritetin në sulmin e Leverkusenit, duke mbushur zbrazëtinë e lënë nga largimi për në Chelsea i Havertzit, shënuesit të golit të fitores në finalen e Ligës së Kampionëve të edicionit të shkuar.
“Përfundimisht ai do të jetë Kai Havertzi i dytë. Është një futbollist i jashtëzakonshëm që premton shumë në të ardhmen”, parashikon legjenda e Gjermanisë, Lothar Matthaeusi, për Wirtzin.
Menjëherë pas ditëlindjes së tij të 18-të, Wirtzi ndihmoi Gjermaninë të triumfonte në Kampionatin Evropian U-21, duke shënuar dy golat e fitores ndaj Holandës me rezultatin 2:1 në ndeshjen gjysmëfinale.
Wirtz vjen nga një familje që e ka në gjak futbollin. Motra më e madhe, Juliane 20-vjeçare, është mbrojtëse te Leverkuseni dhe ka luajtur për Përfaqësuesen U-19 të Gjermanisë.
Edhe
Wirtz vazhdon me Leverkusenin
Vrapimet e fuqishme të Wirtzit dhe futja në zonën kundërshtare “shkaktojnë telashe” për kundërshtarët, një pamje kjo gjithnjë e më e zakonshme, sidomos pas shërimit të tij nga një dëmtim i muskulit që e ngadalësoi paksa në fillimin e këtij sezoni. Ai tani është një nga emrat e parë në formacionin fillestar të Leverkusenit dhe ka qenë në shënjestër në secilën prej gjashtë ndeshjeve të fundit, duke përfshirë fitoret ndaj Ferencvaroshit dhe Celticut në Ligën e Evropës.
“Ekipi po punon shumë mirë dhe arriti të fitojë ca ndeshje edhe pa Florianin, por për momentin ai është qershia mbi tortë. Pra, me një fjalë, është lojtari kryesor i ekipit tonë”, insistoi drejtori i përgjithshëm i Leverkusenit, Rudi Voeller.