Sport

Fjolla, më e mira e volejbollit

Fjolla Shabanit veç sukseset nuk i mungojnë. Tituj, çmime e mirënjohje është plot vitrina e saj. 

Por ajo ka ende hapësirë për trofe e çmime të tjera dhe ato i synon këtë vit. Falë sukseseve me ekipin e Dritës, 22- vjeçarja u zgjodh volejbollistja më e mirë e Kosovës për vitin 2018, shkruan sot Koha Ditore.

Me ekipin gjilanas edicionin e shkuar fitoi titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës. Për Shabanin ishte hera e parë që fitoi epitetin e volejbollistes më të mirë në Kosovë. Volejbollistja e gjatë 178 cm dhe që luan në bllokeres, natyrshëm u përfshi edhe në formacionin e vitit, ndërkohë u zgjodh në dy raste lojtarja më e mirë e ndeshjes te Përfaqësuesja e Kosovës.

Ndaj Zvicrës dhe Suedisë, që u zhvilluan në kuadër të “Silver League” të Evropës. Por çmimin si lojtarja e vitit e veçon. “Ky çmim më bëri shumë të lumtur dhe ndihem krenare që jam pjesë e një ekipi si Drita, pasi ky epitet nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtareve, me të cilat arritëm një sukses të madh vitin e shkuar”, është shprehur Shabani në një bisedë për gazetën. 

“Kjo vetëm më motivon që të punoj edhe më shumë, në mënyrë që këtë vit të kem ndoshta suksese edhe më të mëdha sesa vitin e shkuar”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)