Përfaqësuesja e Anglisë ka marrë pikët e plota në ndeshjen ndaj Andorrës, duke fituar me rezultatin 4:0.
“Tre Luanët” e kanë dominuar takimin e së dielës duke shpërdoruar edhe disa raste të tjera shënimi.
Ishte Jesse Lingard që ndryshoi shifrat pas një asistimi të Bukayo Saka. Ai shënoi në minutën e 18-të për 1:0, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë anglezët shënuan edhe tre gola të tjerë.
Në minutën e 72-të, Harry Kane dyfishoi epërsinë duke u treguar i saktë nga pika e bardhë.
Ndërsa, pas gjashtë minutave, në skenë doli sërish Lingard që realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Anglinë.
Pas disa minutave, ylli i Unitedit asistoi për Bukayo Saka që vulosi fitoren e Anglisë.
Anglia mbetet ende e pamposhtur, me 15 pikë të tubuara nga pesë ndeshje, derisa Andorra renditet e pesta me tri pikë.