Skuadra e Serie A së Italisë, Fiorentina do të emërtojë fushën stërvitore sipas ish-kapitenit Davide Astori, që ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare më herët këtë muaj.
Kështu, ka shkruar BBC-ja të hënën. Mbrojtësi, që kishte luajtur 14 ndeshje me përfaqësuesen e Italisë, ndërroi jetë para ndeshjes së Fiorentinës në udhëtim me Udinesen, më 4 mars. Autopsia kishte konstatuar se sulmi në zemër është shkaku i vdekjes.
Kryetari i Fiorentinës, Mario Cognigni, u ka thënë mediumeve italiane se fusha stërvitore do të emërtohet “Centro Sportivo Davide Astori”.
“Është një javë e vështirë, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë treguar afeksion për ne. Ne duam të emërtojmë qendrën tonë stërvitore sipas Davides, pasi ishte shtëpia e tij. Do të quhet Centro Sportivo Davide Astori dhe është vetëm iniciativa e parë që do të mbajë të gjallë kujtimin e një personi të veçantë”, ka thënë Cognigni.
Astori, që ka lënë bashkëshorten dhe një vajzë dyvjeçare, kishte dalë nga akademia e Milanit para se t'i bashkohej Cagliarit në vitin 2008, transmeton “Koha Ditore”. Ai kaloi tetë vjet në këtë klub dhe ishte i huazuar edhe te Roma e Fiorentina, para se Fiorentina ta shfrytëzonte opsionin për të blerë atë dy vjet më parë. Astori kishte mbajtur fanellën me numër 13 te Fiorentina, fanellë që u pensionua nga klubi.
Siç u pensionua i njëjti numër i fanellës edhe te Cagliari. Ai luajti në total 91 ndeshje në Serie A për Fiorentinën. Mijëra tifozë dhe përfaqësues të klubeve të Serie A u mblodhën në funeralin e Astorit më 8 mars.