Gara e Kupës së Kosovës vlerësohet rrugë më e shkurtër drejt daljes në Evropë. Por, nga trajnerët dhe futbollistët e Prishtinës dhe Ballkanit është folur pak për Kupë gjatë zhvillimit të kampionatit që u mbyll të dielën.
Synimi i të dyja skuadrave ishte titulli i kampionit për të cilin luftuan deri në fund, por që në fund atë e fitoi Drita.
Drita si kampione dhe Gjilani si nënkampion do ta përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane, parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, përkatësisht Ligës së Evropës.
Dy skuadrave nga i njëjti qytet, Gjilani, të mërkurën (sot) do t’iu bashkohet edhe skuadra e tretë që do ta përfaqësojë vendin në Evropë – parakualifikimet e Ligës së Evropës. Dhe, ekipi i tretë do të dalë nga finalja e Kupës së Kosovës që do të zhvillohet pasdite në arenën kryesore në vend, “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Nga ora 17:45 takohen Prishtina dhe Ballkani.
Është hera e parë që tri skuadra kosovare do të marrin pjesë në garat kualifikuese evropiane.
Nga trajnerët dhe futbollistët e të dyja skuadrave finaliste, finalja është vlerësuar si ndeshje e vitit.
Në stadiumin e qytetit në Prishtinë të martën në mëngjes ishin futbollistët e Ballkanit, që zhvilluan stërvitjen e fundit para ndeshjes finale. Pasdite ushtruan ata të Prishtinës.
Trajneri i skuadrës së Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se presioni do të jetë në anën e Prishtinës.
“Presioni është më i madh te Prishtina, kjo do të jetë një përparësi për neve dhe në këtë aspekt do të jemi më të qetë, por jo edhe më të relaksuar. Ne nuk mund t’ia zgjidhim problemet Prishtinës, ajo duhet vetë t’i zgjidhë ato probleme, kurse neve na mbetet t’i realizojmë synimet tona që me çdo kusht t’i arrijmë objektivat tona”, ka thënë Munishi, që me skuadrën e tij përfundoi në vendin e tretë, me një pikë më pak se kampionia Drita. Prishtina u rendit në pozitën e katërt me 62 pikë.
Prishtina ka fituar katër kupa pas lufte, Ballkani asnjë
Por i të njëjtit mendim nuk është trajneri i Prishtinës, Armend Dallku.
“Nuk mendoj se presioni do të jetë mbi supet tona. Edhe për ne, por edhe për Ballkanin është treni i fundit për ta kapur Evropën. Me këta djem e kam fituar si lojtar Kupën dhe tani shpresoj ta fitoj edhe si trajner për ta nisur një karrierë me një trofe të fituar pavarësisht që tentuam ta fitonim titullin deri në fund, ku dihet tashmë se si është fituar. Por, ky është futbolli dhe ne do të mundohemi tani ta fitojmë Kupën dhe të bëhemi skuadra e tretë që do ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Dallku.
Dallku si lojtar e ka fituar Kupën me Prishtinën dy vjet më parë, derisa të njëjtin sukses e synon edhe si trajner. Ai nuk ka njoftuar për ndonjë lojtar të lënduar. Ka thënë se do t’i ketë të gjithë në dispozicion.
Prishtina e ka fituar katër herë Kupën që nga paslufta, derisa tri herë ka qenë finaliste.
Edhe te Prishtina janë shprehur optimist se do ta fitojnë Kupën për ta përfaqësuar për herë të katërt Kosovën në parakualifikimet e Ligës së Evropës. Në rast se nuk arrijnë ta sigurojnë Evropën, te Prishtina thonë se do të ishte dështim.
“Unë dhe bashkëlojojtarët e mi jemi të motivuar maksimalisht dhe synimi është që ta fitojmë ndeshjen finale të Kupës dhe përmes saj ta sigurojmë edhe Evropën. Sigurisht se do të ishte dështim nëse nuk dalim në Evropë. Do të ishte dështim i sezonit për klubin, por edhe për vetë neve lojtarët. Megjithatë, mendoj se ne kemi skuadër më të mirë se Ballkani dhe do të tentojmë ta fitojmë ndeshjen vendimtare të sezonit. Na vjen keq që nuk arritëm ta fitojmë titullin, por shpresojmë që Evropën ta sigurojmë nëpërmjet Kupës”, ka thënë kapiteni i Prishtinës, Armend Thaçi.
Ballkani është në kërkim të trofeut të parë. Vonë ekipi nga Suhareka ka hyrë në vallen e të mëdhenjve.