Sport

Finalja e Botërorit të klubeve, shenjë e përparimit saudit

Pavarësisht nëse Al-Hilali mund ta mposhtë Real Madridin në finalen e Kupës së Botës për klube të shtunën dhe të bëhet skuadra e parë aziatike që fiton titullin, këto janë kohë gëzimi për sportin në Arabinë Saudite.

Në vitin 2016, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman prezantoi “Vision 2030”, një projekt që synon të zgjerojë një ekonomi të varur nga nafta. Shifrat e qeverisë kanë vënë në dukje se industritë e sportit dhe argëtimit luajnë një rol qendror në vizion.

Al-Hilali mposhti 3:2 kampionin e Amerikës së Jugut, Flamengon e Brazilit, në gjysmëfinale të Kupës së Botës për klube në fillim të kësaj jave në Marok. Tashmë kjo është një fitore e famshme për skuadrën nga Riadi.

“Flamengo u befasua nga aftësitë e lojtarëve tanë”, tha trajneri i Al-Hilal, Ramon Diaz të premten. “Te kjo skuadër nuk prisnin që ne të luanim në një mënyrë kaq të shkëlqyer. Ne e dominuam ndeshjen dhe e merituam të fitonim dhe të shkonim në finale”.

Sulmuesi Salem Al-Dawsari shënoi dy herë kundër skuadrës nga Brazili.

“Ne e merituam të shkojmë në finale dhe premtojmë se do të përpiqemi t'ia sjellim trofeun Arabisë Saudite”, tha Al-Dawsari. “Ne nuk erdhëm në Marok vetëm për të marrë pjesë. Kemi ardhur të luajmë në emrin tonë dhe në emrin e Arabisë Saudite”.

Nuk ishte hera e parë që Al-Dawsari bën bujë ndërkombëtare. Ai shënoi golin e fitores ndërsa Arabia Saudite e befasoi Argjentinën, të cilën e mposhti 2:1 në fazën e grupeve të Kupës së Botës të vitit të kaluar në Katar, një triumf që tronditi botën dhe mahniti kampionen e ardhshme.

Ndërkohë, në Riad, të enjten, Cristiano Ronaldo emocionoi një stadium të stërmbushur duke shënuar katër gola në fitoren 4:0 të Al-Nassr ndaj Al-Wehda në Ligën Profesionale Saudite. Ylli portugez u lirua nga kontrata me Manchester Unitedin në nëntor dhe nënshkroi një marrëveshje me Al-Nassr, me vlerë deri në 200 milionë dollarë në vit, muajin e kaluar. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka rritur profilin ndërkombëtar të Ligës Profesionale Saudite, e cila ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë “IMG” për të shitur të drejtat e transmetimit të ndeshjeve jashtë shtetit.

Sipas raportimeve, marrëveshjet janë rënë dakord me 36 territore.

Organizimi i ngjarjeve të mëdha përbën një tjetër pjesë të strategjisë së vendit për të zhvilluar industrinë sportive. Më 1 shkurt, Arabia Saudite u konfirmua si organizatore e Kupës së Azisë 2027, turneu më i madh i futbollit në kontinent që mbahet çdo katër vjet.

“Mbretëria po transformohet para syve tanë dhe ne jemi të mbushur me emocione se si do të duket në vitin 2027”, tha ministri i Sportit, Princi Abdulaziz bin Turki Al-Faisal.

Ka pasur raporte se Arabia Saudite, e cila është përballur me kritika për historikun e saj për të drejtat e njeriut dhe akuzat për të ashtuquajturën “shpëlarje sportive” për të përmirësuar reputacionin, do të ofrojë për të bashkëorganizuar Kupën e Botës 2030. Vendi organizon ngjarje të tjera ndërkombëtare si në Formula 1 për shembull. Po ashtu, qëndron pas promovimeve të profilit të lartë të golfit e boksit dhe ka ngjarje tjera të mëdha në agjendë. Në gushtin e kaluar, Al-Faisal shprehu interes për Lojërat Aziatike 2034 si dhe për Lojërat Olimpike.

“Patjetër që Olimpiada do të ishte një qëllim përfundimtar për ne. Ne jemi të hapur për këtë dhe mendoj se mundemi”, tha Al-Faisal.