Sport

FIFA po i përgatit legjendat e futbollit për t’i menaxhuar klubet

Fabio Cannavaro, John Terry dhe Tim Cahill janë ndër ish-yjet e futbollit që kanë ndërruar zhveshtoren me klasën, në kuadër të një kursi që po mbahet me shpresën për të vendosur më shumë lojtarë në pozita udhëheqëse.

Shkollimi i FIFA-s për menaxhimin e klubeve është në vitin e dytë. FIFA synon t’u mësojë “njohuritë më të fundit praktike” se si drejtohet një klub futbolli.

Pjesëmarrësit e kursit duhet të punojnë për një klub në një pozicion ekzekutiv ose menaxherial, megjithëse përjashtime bëhen për lojtarët aktivë si Juan Mata i Spanjës dhe Fernandinho i Brazilit.

Cahill, i cili doli në pension në vitin 2019 pasi luajti në pesë vende të ndryshme dhe regjistroi 108 ndeshje për Australinë, tani shërben si shef sportiv për Akademinë Aspire të Katarit dhe është gjithashtu anëtar bordi në skuadrën belge Eupen. Ai tha se beson që kursi mund ta ndihmojë të bëhet “një person me ndikim” që mund të jetë mjaft efikas dhe i zellshëm për të drejtuar klube futbolli të niveleve të larta.

“Nuk ka të bëjë gjithmonë vetëm me atë që ndodh në fushë”, tha 43-vjeçari në Tokio gjatë sesionit të fundit të kursit. “Është dinamika se si të drejtosh një klub futbolli dhe është një botë e madhe”.

Organizatorët e FIFA-s limituan një listë me më shumë se 400 aplikantë për 40 vendet në kurs, i cili zgjat nga shtatori i vitit 2022 deri në dhjetor të këtij viti. Cahill dhe Terry arritën të regjistroheshin, megjithëse ish-mbrojtësi i Anglisë dhe Chelseat, Terry nuk mund të udhëtonte në Tokio sepse ishte i zënë me fillimin e punës së tij të re si ndihmëstrajner i Leicester Cityt. Pjesëmarrësit duhet të marrin pjesë në të paktën dy seanca anembanë botës, si dhe të marrin pjesë në të tjera seanca në internet. Ata duhet të kryejnë një sërë kursesh dhe të ofrojnë një prezantim për projektin e tyre përfundimtar përpara se të diplomohen në Zuerich. Tarifa e shkollimit është 3900 dollarë, pa përfshirë kostot e udhëtimit dhe akomodimit.

Ish-mbrojtësi i Arsenalit dhe i Zvicrës, Philippe Senderos, ishte një nga 30 personat që morën pjesë në kursin inaugurues, në rolin e tij në atë kohë si drejtor sportiv në klubin zviceran Servette. Ai u ftua të mbante një fjalim për studentët e këtij viti dhe tha se kursi hap mendjen për mënyra të ndryshme të menaxhimit të klubeve të futbollit.

“Nuk mjafton vetëm të kesh përvojë si futbollist - duhet të jesh në gjendje të strukturosh mendimet e tua," tha Senderos, i cili shok klase e ka kampionin e botës, Cannavaron.

Senderos u tregoi studentëve në Tokio për punën e brendshme te Servette, duke shpjeguar sistemin e akademisë, strukturën e klubit dhe detyrat e tij të përditshme si drejtor sportiv. Ai u ndoq nga figura të ndryshme nga futbolli japonez, duke përfshirë kryetarin e J-League dhe një ekspert në mësimdhënien e aftësive për fëmijët e vegjël. Marketingu, menaxhimi i stadiumit, financat, çështjet ligjore dhe strategjia rinore janë module studimi. Folësit e tjerë në kursin e këtij viti përfshijnë Arsene Wengerin, Fabio Capellon si dhe shefin ekzekutiv të Manchester Cityt, Ferran Sorianon. Drejtoresha e kurseve të FIFA-s, Ornella Desiree Bellia, thotë se programi nuk është i orientuar drejt Evropës dhe synon të krijojë një mjedis futbolli global ku jo vetëm disa klube nga një rajon specifik të jenë në gjendje të garojnë në nivelin më të lartë.

“Ne përpiqemi të kemi më shumë njerëz nga jashtë Evropës sepse besojmë se këtu duhet të fokusohet FIFA”, tha ajo.

Kupa e Botës për Klube po zgjerohet në 32 ekipe nga viti 2025 dhe Bellia thotë se FIFA nuk dëshiron një turne që është “plotësisht i çekuilibruar”. Ajo gjithashtu thotë se organi qeverisës dëshiron të ketë më shumë lojtarë në pozita administrative në futbollin botëror.

“Është e rëndësishme për FIFA-n që t'u kthejë lojtarëve atë që ata i japin lojës”, tha ajo. “Kjo është arsyeja pse FIFA dëshiron që këta lojtarë të marrin njohuritë që më pas të jenë në gjendje të drejtojnë një klub”.