Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino ka thënë se termini i planifikuar për të mbajtur Botërorin e klubeve duhet të ndryshohet nga FIFA, për të hapur rrugë për mbajtjen e Evropianit dhe Copa Americas.
Të dy ngjarjet kontinentale janë shtyrë për një vit dhe do të mbahen në verën e vitit 2021.
Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të FIFA-s, Infantino ka thënë se FIFA do të mbajë një videokonferencë të mërkurën në të cilën duhet të pranojë ndryshimet nga UEFA dhe CONMEBOL dhe të vendos që Botërori me 24 klube të mbahet “më vonë në vitin 2021, në vitin 2022 apo 2023”.
Turneu i klubeve është planifikuar të mbahet në Kinë në vitin 2021, në kohën që tashmë do të jetë e rezervuar për kampionatin e Evropës dhe atë të Amerikës së Jugut.
Infantino po ashtu do t’i sugjerojë Këshillit të FIFA-s që të bëjë donacion prej 10 milionë dollarë për fondin e solidaritetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të prekurit nga koronavirusi.