Përfaqësuesja e Kosovës në futboll muajin e ardhshëm do ta nisë një cikël të ri kualifikues për “Euro 2024”. Në ciklin për Evropianin që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani, Kosova synon kualifikimin. Por, në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) shpresojnë që fanellat e reja t’u sjellin fat drejt kualifikimit në “Euro 2024”. FFK-ja të enjten ka njoftuar se ka lidhur marrëveshje për fanellat e reja të përfaqësueses së Kosovës me kompaninë italiane të veshjeve dhe pajisjeve sportive “Errea” nga Italia. Në njoftimin e FFK-së thuhet se brendi italian është ndërmjetësuar nga shtëpia evropiane e futbollit - UEFA.
“Sikurse edhe për shumë federata tjera të vogla në zhvillim, edhe bashkëpunimin e FFK-së me brendin e njohur “ERREA” e ka ndërmjetësuar UEFA, ashtu siç ka bërë edhe me Andorrën, Bjellorusinë, Qipron, Ishujt Faroe, Lihtenshtajnin, Luksemburgun, Maltën, San Marinon e Kazakistanin”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Në katalogun zyrtar të kompanisë “Errea” për vitin 2023 janë këto modele me ngjyrat e Kosovës.

Marrëveshja përfshin furnizimin trevjeçar me të gjitha pajisjet sportive që u nevojiten ekipeve përfaqësuese të Kosovës në futboll.
“Partneriteti disavjeçar i UEFA-s me kompaninë ‘ERREA’ e ka bërë më të lehtë negocimin e Kosovës, për të lidhur këtë marrëveshje, e cila do të jetë me kohëzgjatje deri në vitin 2026. Veshjet dhe pajisjet e tjera sportive të ‘ERREA’-s i plotësojnë standardet më të larta të dizajnit, cilësisë dhe komoditetit , e gjithashtu pasqyrojnë një identitet të fortë kombëtar. Marrëveshja përfshin furnizimin trevjeçar me të gjitha pajisjet sportive që u nevojiten ekipeve tona kombëtare në futboll”, thuhej më tej në njoftimin e FFK-së.
FFK-ja ka njoftuar po ashtu se prezantimi i fanellave do të bëhet së shpejti, ndërsa në fund të muajit të ardhshëm do të luajë me to në kualifikimet e “Euro 2024”.
Edhe
Kosova me fanella të reja
“Fanellat e reja kanë një dizajn modern e tërheqës, derisa janë krijuar me material cilësor, për të siguruar që ato të jenë të rehatshme për lojtarët gjatë ndeshjeve. FFK shpreson se fanellat e reja do t’i sjellin fat Kombëtares në ciklin e ardhshëm kualifikues për Euro 2024”, shkruan në fund të njoftimit të FFK-së.
Prej vitit 2018, Kosova ka pasur marrëveshje me kompaninë zvicerane ‘Fourteen”, ndërsa më herët ka bartur fanellat e brendeve si: “Nike”, “Puma”, “Umbro”, “Legea”, “Kelme”. Në kualifikimet për Evropianin e vitit të ardhshëm, Kosova bën pjesë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.