Sport

FFK-ja shmang ndeshjet e “turpit” në përzgjedhjen e më të mirit të javës

Në kushte normale, Astrit Fazliu do të ishte pa asnjë diskutim lojtari më i mirë i xhiros. Shënoi gol në minutën e 105-të. Goli i tij ishte i fitores. Për më tepër i mundësoi skuadrës së tij, Ferizajt, që të shmang rënien nga Superliga dhe të siguroi ndeshjen e barazhit.

Por kushtet nuk ishin normale. Dhe goli i shënuar ndaj Dukagjinit nuk është se i bënë nder Fazliut, emrit jo pak të njohur të futbollit kosovar. Dhe natyrisht ai nuk u shpall lojtari më i mirë i xhiros së 36-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Federata e Futbollit e Kosovës për lojtarin më të mirë të xhiros së 36-të e ka shpallur portierin e Malishevës, Flamur Gashi. Malisheva fitoi ndaj Llapit, ndërsa ndeshja nuk kishte ndonjë vlerë të madhe garuese. As për së afërmi nuk ishte e rëndësishme sa ndeshjet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça’89 – Prishtina. Këto dy ndeshje vendosnin për skuadrën që largohej nga Superliga dhe potencialisht për skuadrën që do të dal në Evropë. Por rezultatet ishin shumë të dyshimte e rrjedha e ndeshjeve thuajse qesharake. Kulmi ishte kur portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri lëviz prapa me trup për të lejuar topin të hyjë në portë, në mënyrë që Ferizaj ta marr fitoren 2:1. Edhe Trepça ’89 fitoi me gol në minutat shtesë. Dhe sikur rrjedha të ishte normale një lojtar i saj do të ishte dukshëm më i favorizuar se portieri i Malishevës.

FFK-ja i ka shmangur ato dy ndeshje në përzgjedhjen e “Yllit të Javës” dhe e ka nderuar portierin e Malishevës. Gashi priti penallti në minutën e fundit, thuhet në arsyetimin e FFK-së.

“Ndihem shumë mirë dhe i lumtur për këtë vlerësim. Dua t’i falënderojë bashkëlojtarët e skuadrës dhe shtabin teknik pa të cilët sigurisht se nuk do të mund ta fitoja këtë çmim. Shpresoj që ky çmim nuk do të jetë i fundit, ndonëse të shpërblehesh në fund të kampionatit është qershia mbi tortë. Me lojën e djeshme e kemi mbyllur kampionatin me sukses si ekip, por edhe në aspektin individual. Kemi merituar më shumë por ky është futbolli dhe duhet të jemi të lumtur me atë që kemi arritur”, ka thënë Flamur Gashi për faqen zyrtare të FFK-së.

Për Gashin çmimi mund të jetë “qershi mbi tortë”. Por për FFK-në xhiroja e fundit është goditje shumë e rëndë.