Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka ende qëndrim për të ardhmen e përzgjedhësit, Bernard Challandes.
Është kryetari i FFK-së, Agim Ademi, që të dielën për KOHËN ka thënë se nuk e kanë diskutuar të ardhmen e Challandesit pas humbjes së katërt të pësuar në ciklin kualifikues për Botërorin “Katari 2022”. Kryetari Ademi ka bërë të ditur se për të ardhmen e trajnerit zviceran do të mësohet vetëm pas përfundimit të kampanjës kualifikuese.
Kosova deri në fund të ciklit të saj të dytë kualifikues për Botëror i ka edhe dy ndeshje për t’i zhvilluar. Të martën do të përballet me Gjeorgjinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa më 14 nëntor do të luajë në Athinë ndaj Greqisë.
Të shtunën mbrëma Kosova humbi 3:0 nga Suedia në Stokholm.
“Nuk kemi ende qëndrim. Ndeshja është humbur, por do të shohim tash. Nuk është as andej e as këndej, derisa të përfundojnë ndeshjet, pasi kemi edhe dy lojë zyrtare. Nuk mund ta sigurojmë, por për këtë punë nuk jemi duke diskutuar tash. I kemi edhe këto dy ndeshje”, ka thënë Ademi për KOHËN.
I pari i shtëpisë së futbollit kosovar nuk ka analizuar punën e selektorit Challandes. Por lë të kuptohet se me rezultatet e arritura deri tash nuk janë të kënaqur.
Kosova është në vendin e katërt në grup. Pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara i ka katër pikë. Spanja është lidere me 13 pikë, kurse Suedia në vendin e dytë me një ndeshje dhe një pikë më pak. Greqia zë vendin e tretë me nëntë pikë nga pesë ndeshje, kurse Gjeorgjia renditet e fundit me një pikë.
“Normalisht ne duam rezultat. Mendojmë se grupi ka qenë i vështirë dhe i pamundur, por gjithsesi kjo është situata në të cilën jemi. Faktikisht mendojmë që vendin e dytë e humbëm nga Suedia. Por vendi i tretë është objektiv jo i kërkuar, por nëse arrihet do të ishte nder për ne. Do të shohim t’i bëjmë gjitha parapërgatitjet për Ligën e Kombeve, për Kampionatin Evropian”, është shprehur Ademi.
Agim Ademi nuk jep garanci që Challandes do të jetë në krye te “Dardanëve” edhe për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Faza e grupeve e Ligës së Kombeve nis më 2 qershor dhe përfundon më 27 shtator të vitit të ardhshëm. Kosova është në Ligën C edhe për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Kualifikimet e rregullta për Evropianin e vitit 2024 zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2023.
“Do të shohim se çfarë vendimesh do të marrim, pasi tash për tash nuk kemi vendim”, ka thënë Ademi.
Challandes në krye të Kosovës është prej marsit të vitit 2018. Puna e Challandesit në raste është vlerësuar, por ai ka hasur në shumë kritika, sidomos pas eliminimit nga Maqedonia e Veriut në plejofin për “Euro 2020”.
Challandes në gusht të vitit kaluar vazhdoi për dy vjet kontratën me Federatën e Futbollit e Kosovës, pak javë para se përfaqësuesja ta zhvillonte takimin e plejofit në Shkup. Megjithatë, jo i gjithë faji i vishet Challandesit. Shumica e lojtarëve që përfaqësojnë Kosovën as për së afërmi nuk janë në pikën më të ndritur të karrierës. Niveli i ligave ku luajnë disa futbollistë është inferior. Edhe në rangje më të ulëta, lojtarët rregullisht kanë pasur vështirësi për minutazhë.