Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja nuk i duron kritikat, hap procedurë disiplinore ndaj Eroll Salihut, Valon Zymberit dhe Taulant Dajakut

Federata e Futbollit e Kosovës po ka telashe për të përballur kritikat publike. Ndaj atyre që bëjnë kritika publike ndaj FFK-së, Federata tashmë po inicion edhe procedura disiplinore.

Është Komisioni i Garave i Superligës dhe i Ligës së Parë që në mbledhjen e mbajtur të martën ka bërë inicime disiplinore ndaj disa njerëzve të futbollit që ishin kritik në kohët e fundit.

Në fakt Komisioni, sipas njoftimit, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të xhiros së 28-të të Superligës dhe të xhiros së 21-të të Ligës së Parë.

Komisioni i Garave ka regjistruar ndeshjet dhe “bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve si dhe pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave, vendosi për inicime disiplinore.

“Ndaj përfaqësuesit të lartë ligjor të FFK-së, Eroll Salihu. Motivi: Në prononcim për media shpif, nënçmon, dezinformon dhe diskrediton organet e FFK-së dhe ato të UEFA-s. Sipas xhirimeve televizive”, shkruan në vendim.

Për arsye të ngjashme janë iniciuar procedura edhe ndaj drejtorit sportiv të Dritës, Valon Zymberi dhe drejtorit sportiv të Drenicës, Taulant Dajaku. Zymberi e Dajaku mund të dënohen pasi, sipas Komisionit, “në prononcim për media kanë akuzuar, dezinformuar dhe ofenduar organet e FFK-së”.

Edhe Tjetër dënim i FFK-së ndaj Eroll Salihut Sport Tjetër dënim i FFK-së ndaj Eroll Salihut

Komisionin e Garave e udhëheq Abdyl Bellopoja.

Salihu e Zymberi janë prej kritikëve më të mëdhenj të kryetarit të rizgjedhur të FFK-së, Agim Ademi. Me kritika ndaj disa dukurive në FFK-së së fundi doli edhe Dajaku.