Nedim Bajramit i është mohuar kalimi nga Zvicra te Shqipëria, ndonëse ka luajtur vetëm për U21. Por Bajrami ka luajtur ndeshje zyrtare pasi ka mbushur 21 vjet dhe kjo ia ka pamundësuar ndryshimin e federatës. Në bazë të këtij parimi dhe në bazë të ndryshimeve të fundit të rregulloreve të FIFA-s, Mërgim Berisha, Bastien Toma, Toni Domgjoni e Andi Zeqiri nuk do të mund të kalojnë te Kosova edhe nëse kanë vullnet për këtë, që deri më tani nuk e kanë deklaruar. Por në FFK vlerësojnë ndryshe. Thonë se ka hapësirë që ata të luajnë për Kosovën, nëse shfaqin interesim
Mërgim Berisha, Bastien Toma, Toni Domgjoni dhe Andi Zeqiri janë emra të njohur për ata që e përcjellin futbollin në Kosovë. Interesimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për t’i afruar ata në Përfaqësuesen e Kosovës ka qenë goxha i madh kohëve të fundit.
Madje, në forma të ndryshme në FFK kanë pasur edhe bindjen se në të ardhmen, pasi ta kenë përfunduar ciklin me Përfaqësueset U21 të Gjermanisë, përkatësisht Zvicrës, ata do ta përfaqësojnë Kosovën.
Por ka pak gjasa që këta lojtarë të kenë të drejtë të ndryshojnë përfaqësuese. Bazuar në vendimin e FIFA-s për Nedim Bajramin, të cilit iu pamundësua kalimi nga Zvicra te Shqipëria dhe bazuar në ndryshimet e fundit të Rregullores përkatëse të FIFA-s, Berisha pritet të ketë të drejtë të luajë vetëm për Gjermaninë, ndërsa Toma, Domgjoni e Zeqiri vetëm për Zvicrën.
Është një qarkore e dërguar nga FIFA te federatat nacionale më 28 janar të këtij viti, ku ato janë njoftuar me Komentarin e rregullave lidhur me të drejtën e lojtarëve për të luajtur për përfaqësuese. Komentari ofron informata të shumta për situatat kur lojtarët synojnë të ndryshojnë përfaqësueset dhe bën të qartë se lojtarët që luajnë ndeshje zyrtare për një përfaqësuese pasi t’i mbushin 21 vjet, nuk kanë të drejtë në ndryshim, pavarësisht nëse kanë luajtur për përfaqësuese A apo atë U21. Të gjithë këta kanë luajtur ndeshje me U21 pasi kanë mbushur 21 vjet.
Në FFK megjithatë nuk janë dorëzuar, ndonëse asnjëri prej lojtarëve nuk ka pohuar se do të luajë për Kosovën. Por në FFK nuk e zbulojnë mënyrën se si mund t’i afrojnë lojtarët që synojnë t’i marrin.
FIFA është thirrur në pikën B të artikullit 9 të Komentarit: Ndryshimi i Federatës. Në FFK insistojnë se ka pika ku mund të referohen për të mundësuar kalimin nga një shtet në tjetrin. Thonë se mjafton vetëm vullneti i lojtarëve.
“Sigurisht se ekziston pika së cilës i referohemi për të mundësuar transferimin e lojtarëve te Kosova. Mjafton që ata të shprehin vullnetin për të veshur fanellën e Kosovës dhe ne do ta bëjmë punën tonë. Janë disa pika që lejojnë në varësi të situatave përkatëse, por nuk mund të bëjmë interpretim të Rregullores në një përgjigje për media”, shkruan në përgjigjen e FFK-së dhënë të martën për KOHËN.
Në fakt, Artikulli 9 saktëson se lojtari mund të kërkojë vetëm një herë ta ndryshojë federatën për të cilën është në dispozicion që të luajë për federatën e një vendi tjetër, nacionalitetin e të cilit e ka. Por duhet të plotësohen kushte të tjera që leja të jepet. Ndër të tjera, në pikën B shkruan se leja mund të jepet nëse “lojtari në momentin që ka luajtur ndeshjen e fundit zyrtare në çfarëdo niveli, për federatën aktuale, nuk i ka mbushur 21 vjet”.
Dhe kjo pikë e bën të pamundur që lojtarët që i ka synuar dhe i synon Kosova ta ndryshojnë përfaqësuesen. Por në FFK mendojnë ndryshe.
Berisha, 22-vjeçar, me Gjermaninë U21 ka siguruar avancimin në çerekfinale të Evropianit. Ai ka luajtur në tri ndeshjet e Gjermanisë në fazën grupore të Evropianit. Në të vërtetë, Berisha vlerësohet lart në Gjermani dhe në Austri, ku luan për RB Salzburgun. Ai asnjëherë nuk ka thënë se është i interesuar të luajë për Kosovën, por FFK-ja ka shprehur synime që ta afrojë atë.
Toni Domgjoni ka qenë prej më të mirëve te Zvicra U21, që megjithatë nuk ia doli të avanconte përtej fazës grupore. 22-vjeçari është i lindur në Kroaci, por është nga Kosova. Ai luan për Zuerichun dhe paraqitjet e tij në Evropian janë vlerësuar shumë të mira.
21 vjet i ka mbushur edhe Andi Zeqiri, sulmuesi i Zvicrës U21 dhe i Brightonit në Premier League. Zeqirin e ka pritur gjatë FFK-ja, por afrimi i tij te Kosova tashmë duket pak i mundur.
Bastien Toma është tjetër lojtar i Shpresave të Zvicrës që ka mbushur 21 vjet dhe që tashmë e ka humbur rastin e ndryshimit të përfaqësueses, nëse vlen kriteri i njëjtë si për Nedim Bajramin. Ai luan te Genku në Belgjikë.
Bajramit i ka kushtuar fakti që ka veshur fanellën e Zvicrës në ndeshje zyrtare pasi ka mbushur 21 vjet. Ai ka luajtur për U21 të Zvicrës, por kjo nuk e ndryshon më situatën. Në të kaluarën, kur një lojtar luante ndeshje zyrtare me përfaqësuesen A të një vendi, e humbte të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses. Por rregulloret e FIFA-s kanë ndryshuar ndërkohë.
Mesfushori ofensiv, Bajrami, që me prejardhje është nga Tetova, ka luajtur katër ndeshje zyrtare për U21 të Zvicrës pasi ka mbushur 21 vjet. Dhe kjo ia pamundësoi kalimin te Shqipëria. Të paktën kështu ka raportuar javën e kaluar gazeta zvicerane “Blick”.
Aktualisht, sipas përgjigjes së FFK-së, nuk ka asnjë vendim definitiv nga lojtarët.
“Sa u përket prurjeve të reja, momentalisht nuk mund të përmendim emra, kjo varet se me kë flasim ndërkohë. Shtatori nuk është dhe aq afër, ndoshta ndonjëherë tjetër mund të kemi diçka të re, tani për tani jo”, thuhet në përgjigjen e FFK-së.
Prej gjeneratës aktuale të Zvicrës U21 vetëm Kastriot Imeri nuk i ka mbushur 21 vjet. Ai ka kohë deri më 27 qershor të vendosë për ndryshim eventual të përfaqësueses.
Por të gjithë këta janë pretendues për një vend te Zvicra A. Të gjithë vlerësohen me potencial të madh.
Menaxheri Gëzim Ibrahimi thotë se asnjëherë nuk është kontaktuar nga Kosova mesfushori i Servettes, Kastiot Imeri.
“Kosova kurrë nuk më ka kontaktuar për Kastriotin”, ka thënë shkurt për KOHËN menaxheri i Imerit, Gëzim Ibrahimi.