Tenisti zviceran do të mungojë në Grand Slamin e radhës që mbahet në Paris.
Roger Federer disa ditë më parë njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Grand Slamin e dytë të vitit Roland Garros që do të zhvillohet në Francë, duke hequr dorë nga turnetë me dhe të kuq.
Zvicerani për herë të parë ka dhënë arsyetimin e tij se përse nuk do të jetë në Paris, duke marrë thuajse tre muaj pushim.
“Nuk jam më 25-vjeç, më duhet të kursej energjitë për Wimbledon. E dua më shumë sipërfaqen me bar se sa atë me dhe të kuq, dhe kjo është arsyeja se përse nuk do të jem në Roland Garros”, tha Federer.
36-vjeçari pas fitores në Roterdam në muajin shkurt u shndërrua në tenistin me moshën më të madhe që merrte vendin e parë në renditjen ATP, por në mars këtë pozicion ia ktheu sërish Rafa Nadalit.