Interesimi për ta parë nga afër ndeshjen Zvicër – Kosovë është i madh. Kështu të paktën ka njoftuar të martën Federata e Futbollit e Zvicrës.
Zvicra e Kosova luajnë ndeshje miqësore më 29 mars në stadiumin e Zuerichut, Letzigrund. Federata e Futbollit e Zvicrës fillimisht nxori në shitje biletat më 1 mars. Por të martën ka njoftuar se në shitje do të dalin bileta shtesë. Sipas federatës helvetike, kërkesa për biletë është e madhe.
Pritet që Kosova të ketë përkrahje të madhe në ndeshjen e 29 marsit në Zuerich. Komuniteti shqiptar në Zvicër është shumë i madh.
“Për shkak të kërkesës së madhe për bileta për ndeshjen e përfaqësueses seniore kundër Kosovës, e gjithë tribuna jugore do të jetë me ulëse. Ndeshja luhet më 29 mars nga ora 18:00 në Letzigrund të Zuerichut”, ka njoftuar fillimisht Federata e Futbollit e Zvicrës.
Çmimi i biletave shtesë do të jetë 30 franga zvicerane për të rritur dhe 15 franga për të rinjtë.
“Të mërkurën, më 9 mars, nga ora 14:00, do të dalin në shitje edhe rreth 2000 bileta të tjera me çmim 30 franga për të rriturit dhe 15 franga për të rinjtë”.
Biletat mund të blihen vetëm përmes platformës “ticketmaster.ch”.
Kosova e Zvicra për herë të parë luajnë miqësore. Raportet mes dy federatave fillimisht nuk ishin më të mirat, për shkak të ndikimit negativ të federatës helvetike në procesin e pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Por tashmë raportet vlerësohet se janë rregulluar dhe si rezultat i kësaj është aranzhuar edhe miqësorja. Vlerësohet se një miqësore Zvicër – Kosovë është në interesin e të dy federatave për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në shtetin zviceran.
Federata e Futbollit e Kosovës deri më tani nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për bileta të kësaj ndeshjeje, me gjithë përkrahësit e shumtë të Kosovës në Zvicër.
Zvicra dhe Kosova ende nuk i kanë publikuar emrat e lojtarëve që do të paraqiten në këtë ndeshje.