Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Federata e Hendbollit dënon sulmin ndaj delegatit të ndeshjes

Federata e Hendbollit e Kosovës ka konfirmuar sulmin fizik ndaj delegatit të saj, Sebahedin Vitaku. Ai është sulmuar në ndeshjen e kadeteve mes Istogut dhe Vushtrrisë. Sulmin fizik e ka realizuar një anëtar i kryesisë së klubit Vushtrria, që është edhe prindi i njërës prej lojtareve të kësaj skuadre.

Vitaku ka kërkuar ndihmën e mjekut pas sulmit fizik ndaj tij. Për shkak të sulmit fizik në ndeshjen e ekipeve të kadeteve, nuk është zhvilluar ndeshja e senioreve mes Istogut dhe Vushtrrisë. Ky ishte derbi i xhiros. “Federata e Hendbollit e Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh lajmin për sulmin fizik ndaj delegatit të ndeshjes Istogu – Vushtrria, Sebahedin Vitaku.

Delegati Vitaku është sulmuar gjatë ndeshjes së kadeteve të këtyre dy skuadrave. Sulmin e ka kryer një anëtar i kryesisë së klubit mysafir. FHK-ja dënon rëndë sulmin fizik ndaj delegatit. Lidhur me këtë incident do të vendoset gjatë javës së ardhshme nga organet kompetente të garave të FHK-së. Për shkak të sulmit, nuk është luajtur ndeshja e senioreve të Istogut dhe Vushtrrisë.

Ndeshja e ekipeve seniore pritet të zhvillohet gjatë javës së ardhshme”, ka njoftuar FHK-ja. Jo rrallë në sportin kosovar ka dhunë, por nuk ndodhë shpesh që delegatët e ndeshjeve të sulmohen nga zyrtarë klubesh. Kjo megjithatë ka ndodhur të dielën mbrëma në Istog. Istogu tashmë është shndërruar në qendër të rëndësishme të hendbollit kosovar. Udhëheq në tabelë me të gjitha ndeshjet e fituara. Vushtrria e ka vetëm një humbje, nga Istogu.

Artikuj të ngjashëm