Federata e Basketbollit e Kosovës të hënën pasdite ka bërë publik vendimin sipas të cilit klubi Borea nga Peja do të bëjë gara në Superligën e Kosovës në basketboll në edicionin 2018/19.
Në fakt, në Superligë mbeti një vend vakant pasi FBK-ja përjashtoi Pejën nga garat për mospërmbushje të obligimeve ndaj FIBA-s dhe FBK-së, vendim që Peja po e konteston ende dhe për të cilin është ankuar.
Por vendi i Pejës tashmë është zënë nga Borea dhe vendimi është zyrtar.
Borea edhe edicionin e kaluar garoi në Superligë, por nuk ia doli të sigurojë mbetjen në elitë.
Pas përjashtimit të Pejës, FBK-ja hapi konkurs për vendin e lirë në Superligë, ndërsa Borea aplikoi dhe i plotësoi kushtet e kërkuara.
“Miratohet aplikacioni i KB Borea Pejë në konkursin e WildCard për plotësimin e vendit vakant në Superligën e Kosovës në basketboll për edicionin 2018/19 dhe KB Borea bëhet anëtari i tetë i Superligës. KB Borea do të jetë bartëse e të gjitha të drejtave të ekipeve të Superligës së Kosovës, si dhe e obligimeve të licencimit dhe regjistrimit për edicionin vijues”, thuhet në njoftimin e Bordit të FBK-së.