Sport

FBK-ja shpreson që një numër i shikuesve të lejohet në ndeshjet për Kupë

Muajin tjetër, tifozët pritet të jenë të pranishëm në disa ndeshje të basketbollit në Kosovës. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) pritet të marrë miratimin për lejimin e një numri të caktuar të tifozëve në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ku edhe do të zhvillohet “Final 8” i Kupës së Kosovës. Turneu i Kupës nis më 3 dhe përfundon më 7 shkurt.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka zbuluar të martën për KOHËN se tashmë kanë mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe po presin gjatë kësaj jave dritën e gjelbër nga institucioni që ai e udhëheqë. Në fakt Dushku ka bërë të ditur se ka kërkuar që të lejohen shikuesit për 15% të kapacitetit së palestrës në Rahovec, që do të thotë rreth 200-250 shikues. Ajo ka premtuar se do të respektohen të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Kemi pasur një takim me ministrin Zemaj si dhe kemi bërë kërkesë që të na lejohet 15% të kapacitetit të palestrës në Rahovec, që i bjen rreth 250 shikues. Gjithashtu kemi dërguar edhe kërkesën dhe një model të shteteve tjera që kanë vepruar në këtë mënyrë duke lejuar kthimin e tifozëve në numër të vogël. Jemi në pritje të përgjigjes dhe shpresojmë që të na lejohet një gjë e tillë për ndeshjet e Kupës së Kosovës që nisin më 3 shkurt”, është shprehur Dushku.

Në rast se Ministria e Shëndetësisë aprovon kërkesën e FBK-së, atëherë kjo do të ishte hera e parë që lejohet kthimi i tifozëve në ndeshjet e basketbollit këtë edicion, i cili nisi në muajin tetor dhe pa praninë e shikuesve, me rekomandim të institucioneve shtetërore.

Edicioni i shkuar nuk u kompletua për shkak të paraqitjes së koronavirusit. FBK-ja mori vendim për anulimin e garave pa shpallur kampionin. Vendimi u mor në fund të muajit mars, dy javë pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Për kërkesën për kthim të shikuesve FBK-ja ka thënë se tashmë e ka njoftuar edhe FIBA-n, që nuk ka penguar të ndërmerret një nismë e tillë.

“Ne kemi bërë tashmë planin dhe jemi përgatitur që palestrën ta ndajmë në zona, ku do të respektohet distanca dhe të gjitha masat e tjera për parandalimin e koronavirusit”, shtoi Dushku. “Po ashtu edhe FIBA ka thënë që tifozët mund të jenë të pranishëm në tribuna për këto ndeshje nëse lejojnë protokollet e shtetit”.

Sipas Dushkut, qëllimi i kërkesës për lejimin e tifozëve në duelet e “Final 8” të Kupës së Kosovës, është që të hapen dyert për praninë e tyre në një kapacitet të tillë edhe për ndeshjet që Përfaqësuesja e Kosovës i luan muajin tjetër në kuadër të raundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin e vitit 2023. Kosova më 18 dhe 20 shkurt i luan ndeshjet e fundit të këtyre parakualifikimeve në Prishtinë, ku do të përballet me Luksemburgun dhe Sllovakinë në kuadër të Grupit B, të cilin e përbën edhe Islanda.

“Qëllimi është që nëse tregohemi efikas me menaxhimin e shikuesve dhe situatës në Kupën e Kosovës, pastaj të kemi mundësinë që një numër të tillë tifozësh ta kemi të pranishëm edhe për ndeshjet e Kosovës. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për kualifikim në rundin tjetër dhe përkrahja e tifozëve do të jetë e mirëseardhur”, shtoi Dushku. “Besojmë se këtë test në Kupë do ta kalojmë me sukses për të vazhduar me ndeshjet e Kosovës dhe pastaj gradualisht të bëjmë kthimin e tifozëve edhe në ndeshjet kampionale për këtë sezon”.

Aktualisht shikuesit nuk lejohen në asnjë aktivitet sportiv.