Përgëzime të mëdha ka marrë Federata e Basketbollit të Kosovës për organizimin e kampionatit evropian, Divizioni B, për basketbollistet deri 20-vjet që prej 3 deri më 11 gusht është mbajtur në Prishtinë. Në atë evropian garuan 12 përfaqësuese, ndërsa titullin e fitoi Bullgaria.
Nga FBK-ja, Evropiani U-20 i basketbollisteve është vlerësuar storie suksesi, ndërsa mund të jetë prej të arriturave të pakta të kësaj federate në këtë verë. Gjatë verës kanë luajtur shumë përfaqësuese të basketbollit, por rezultatet po vazhdojnë të jenë negative, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kështu përfaqësuesja U-16 e basketbollisteve të hënën pësoi nga Zvicra me shifrat 62:58, në kampionatin evropian, Divizioni B, në Sofje të Bullgarisë. Kosova U-16 (femrat) i ka humbur të gjitha katër ndeshjet e deritashme dhe është e fundit në grup. Ka pësuar edhe nga Sllovakia, Izraeli e Kroacia. Në grup luan edhe me Norvegjinë.
Basketbollistet e përfaqësueses U-18 ishin renditur në vend të parafundit (22) në Evropianin e Divizionit B, të mbajtur në Shkup. Pas kanë lënë vetëm Shqipërinë, ndonëse nuk e fituan asnjë ndeshje. Bujë kishte bërë disfata 97:12 nga Sllovenia.
Në Evropianin U-20, Divizioni B, të organizuar në Prishtinë, Kosova u rendit e fundit (12). Humbi të gjitha ndeshjet.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)