Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FBK-ja lejon kthimin e tifozëve në mënyrë të organizuar në palestra

Pas më shumë se dy muajve, është lejuar kthimi i tifozëve të basketbollit në mënyrë të organizuar nëpër palestrat e Kosovës. Këtë vendim, e ka marrë Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën.

Me këtë veprim, Bordi i FBK-së, ka shfuqizuar vendimin që e mori më 15 dhjetor të vitit të shkuar, në të cilin u potencua “të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër”. Vendimi për të lejuar kthimin e tifozëve në mënyrë të organizuar nëpër palestra, Bordi i FBK-së e ka marrë pas rekomandimit nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive.

Në rekomandimin e tij, Këshilli për Sport, ka potencuar se “duke pasur parasysh që prej periudhës kur FBK-ja ka marrë vendime në lidhje me tifozeritë nuk ka pasur probleme të mëdha, kjo pikë mund të shfuqizohet”.

Kështu që, FBK-ja, deri në vendim tjetër, do të lejojë pjesëmarrjen në mënyrë të organizuar dhe çfarëdo shenje dalluese të të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit që organizohen nën ombrellën e saj.