Pa dhënë detaje për situatën e pazakontë, FBK-ja ka njoftuar të premten se tash e tutje ndeshjet e Superligës do të transmetohen nga dy platforma televizive. Rastet e hapura gjyqësore do të pushojnë dhe ndeshjet do të vazhdojnë menjëherë të shtunën. Dy ndeshje të enjten u shtynë për shkak se nga dy ekipe televizive ishin në palestra. Një rast i humbur në gjykatë mund ta ketë detyruar FBK-në që të merret vesh me dy platformat. Pra, edhe me atë që në FBK kishin vlerësuar se nuk i ishte përmbajtur kontratës. Detaje për situatën që solli anulimin e ndeshjeve nuk janë dhënë
Prishtinë, 26 shkurt – Me fjalën “ekskluzive” e ka nisur Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) një njoftim të lëshuar të premten. Përmes tij është dhënë informata lidhur me situatën e re të krijuar për transmetimin televiziv të ndeshjeve të Superligës. Në njoftim nuk janë dhënë fare detaje për zhvillimet që sollën situatën e re. Zhvillime që, ndër të tjera, bënë që dy ndeshje të javës së 20-të të planifikuara për të enjten, të mos zhvilloheshin dhe të shtyheshin për më vonë.
FBK-ja ka gjetur një kompromis me dy transmetuesit, duke vendosur për një praktikë që nuk është e shpeshtë. Ndeshjet e basketbollit do të transmetohen nga dy platforma televizive. Kur klubet e kishin të drejtën të shisnin të drejtat televizive, ndeshjet transmetoheshin në disa televizione. Por kur shitja e të drejtave bëhet përmes Federatës, atëherë është praktikë që të transmetohen në një televizion apo platformë.
Por situata lidhur me marrëveshjet e FBK-së nuk ishte e lehtë dhe ajo mbeti gati e pasqaruar.
Superliga ka nisur të transmetohet në “Artmotion” e më pas ndeshjet kaluan në “Kujtesa”. Pati edhe punë për gjykatën dhe tani ndeshjet e Superligës do të transmetohen edhe në “Artmotion” e edhe në “Kujtesa”.
Dhe për FBK-në ky është një lajm ekskluziv.
Në palestrat ku është dashur të luheshin ndeshjet të enjten, prezentë ishin ekipet e dy platformave televizive. Kjo bëri që ndeshjet të mos luhen dhe rrjedhimisht të mos ketë transmetim.
FBK-ja të enjten nuk ishte deklaruar për situatën e pazakontë të krijuar, ndërsa të premten ka njoftuar vetëm për marrëveshjen e re, pa u marrë me të kaluarën fare.
Njoftimi që lë shumë të panjohura
“Sot Federata e Basketbollit e Kosovës ka arritur marrëveshje me dy partnerët mediatikë ‘ArtMotion’ dhe ‘Kujtesa’ për transmetimin e të gjitha ndeshjeve dhe garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës në këto dy platforma të mëdha të Kosovës. Falë konstruktivitetit trepalësh, Federata e Basketbollit e Kosovës ka hyrë në partneritet me dy nga platformat më të mëdha dhe më të fuqishme të Kosovës për të qenë sa më afër audiencës dhe tifozëve të basketbollit të Kosovës, që në këto kohë të pandemisë nuk kanë mundur t’i ndjekin skuadrat e tyre të preferuara në palestër, për shkak të masave anti-COVID-19”, thuhet në njoftim. Marrëveshja është e vlefshme deri në vitin 2024.
“Nga nesër e deri në fund të stinorit 2023-24, basketbolli i Kosovës do të transmetohet drejtpërdrejt në shumicën dërrmuese të televizioneve kosovare që janë klientë të dy partnerëve mediatikë të Federatës nga sot e tutje”.
Situatën e re e ka sjellë, ndër të tjera, një rast i humbur i FBK-së në gjykatë, pas ankesës së “Artmotion”. Me këtë transmetues FBK-ja kishte shkëputur një kontratë të lidhur pa nisur edicioni. Por marrëveshja ndryshon situatën.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, tha për KOHËN se marrëveshja është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodhë basketbollit kosovar. Ai tregoi se me marrëveshjen mes tri palëve janë tërhequr të gjithë hapat juridikë të ndërmarrë.
Në fakt, FBK-ja ishte në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit pas ankesës që e kishte bërë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili e kishte obliguar ligjërisht Federatën të pezullojë vendimin e 11 janarit dhe të lejojë platformën “Artmotion” të transmetojë ndeshjet e basketbollit. Ky vendim i jepte të drejtë “Artmotion” që ishte ankuar pas vendimit të FBK-së.
FBK-ja ndryshon shpejt qëndrimin
FBK-ja të premten ka ndryshuar krejtësisht qëndrimin lidhur me transmetimin e ndeshjeve. Ajo në fillim të javës i kishte njoftuar klubet se vetëm “Kujtesa” mund të kishte qasje në palestrat e basketbollit deri në një vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit, që pritej këto ditë.
“Vendimi për t’u pajtuar për këtë aranzhim ka qenë gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodhë basketbollit kosovar. Kontrata e nënshkruar është shumë e rreptë dhe konkrete, prandaj nuk kemi asnjë frikë se ky partneritet do të shkëputet para gushtit të vitit 2024 nga asnjëra palë”, tha Arben Fetahu, duke shtuar se prania e basketbollit në dy platformat televizive do të jetë vlerë e shtuar për të gjithë.
“Marrëveshja e arritur nënkupton tërheqjen e të gjitha masave dhe hapave juridikë të ndërmarrë nga të gjitha palët e kësaj marrëdhënieje”.
Fetahu nuk dëshiroi të zbulojë arsyen se pse Federata që ai e drejton e kishte shkëputur kontratën me platformën “Artmotion” pa paralajmërim. Megjithatë, njëra prej arsyeve të këtij veprimi ishte se kjo kompani televizive nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes së pagesave, të cilat i kishte vonuar.
“Duke qenë se nuk e kemi diskutuar asnjëherë deri më tani detajet e marrëveshjeve tona dhe të këtij konteksti, besoj që nuk është e rrugës të komentohet tani për probleme, të cilat veçse janë tejkaluar”, insistoi Fetahu. “Marrëveshja u arrit falë konstruktivitetit të dy platformave kabllore dhe interesit të përbashkët që e kishin për ta mbuluar basketbollin kosovar. Është hera e parë që një marrëveshje mes dy operatorëve është lidhur nga një federatë sportive në vendin tonë, dhe tërë kjo falë interesit tonë të madh për të qenë më afër publikut dhe falë gatishmërisë së partnerëve tanë për të na përkrahur”.
Marrëveshja me dy operatorë nuk ishte përmendur si opsion kur FBK-ja vendosi të shkëpuste kontratën me “Artmotion” dhe të firmoste me atë “Kujtesa”. Por me gjasë fitimi i rastit në gjykatë nga “Artmotion” e ka sjellë FBK-në në situatë që mos të mund të zgjedhë dhe të tentojë më të mirën e mundshme.
FBK-ja edicionin 2020/21 të Superligës së Kosovës e nisi me marrëveshjen e firmosur në muajin tetor për katër vjet me platformën televizive “Artmotion” për transmetimin e ndeshjeve, të cilën pastaj e zëvendësoi me platformën tjetër “Kujtesa”.
Për shkëputjen e kontratës së firmosur në tetor të vitit të shkuar, FBK-ja njoftoi më 16 janar. Pas këtij njoftimi ndeshjet filluan të transmetoheshin në platformën tjetër, deri të enjten.
Klubet nuk e pritën mirë shtyrjen e ndeshjeve kurse KB Peja reagoi fuqishëm duke insistuar se FBK-ja kishte bërë kontratë të dyfishtë kundërligjore.
“Ndeshja e paraparë të zhvillohet nga ora 17:00 në mes të KB Peja dhe KB Ylli është shtyrë për një datë tjetër, përmes një thirrjeje telefonike të kryetarit te komisari. Kjo, pasi që Federata e Basketbollit ka kontratë të dyfishtë kundërligjore me dy operatorë për transmetimin e ndeshjeve. Kompania ‘Art Motion’ ka fituar rastin në Gjykatën Themelore për prishje të paligjshme të kontratës dhe përsëri Federata insiston që ndeshjet të transmetohen nga ‘Kujtesa’. Me të vërtetë e hidhur dhe e trishtë situata. Ndeshjet anulohen për teke të disa personave, ndërsa shpenzimet e klubeve nuk i interesojnë askujt”, thuhej në qëndrimin e KB Pejës.
Pas marrëveshjes së arritur mes të gjitha palëve, ndeshjet e shtyra pritet të zhvillohen javën e ardhshme, edhe pse ende nuk ka një datë të caktuar.
Pak orë pas njoftimit për marrëveshjen me dy platformat, FBK-ja ka publikuar orarin e ndeshjeve të xhiros së 21-të që do të luhen të shtunën e të dielën. Nga dy ndeshje do të zhvillohen në secilën ditë.
Të shtunën prej orës 17:00 luhet dueli ndërmjet Bashkimit e Sigal Prishtinës, ndërsa dy orë më vonë në Mitrovicë do të takohen Trepça dhe Ponte Prizreni. Edhe të dielën termini i ndeshjeve është i njëjtë: Golden Eagle Ylli – Rahoveci (17:00), Vëllaznimi – Peja (19:00).
Deri në fund të pjesës së rregullt të këtij sezoni kanë mbetur edhe tetë xhiro.
Klubet nuk kanë dalë me ndonjë reagim të premten.
“Ndeshjet do të transmetohen në ‘Artmotion’ dhe ‘Kujtesa’”, shkruan në paralajmërimin e FBK-së për xhiron e 21-të të Superligës së Kosovës në basketboll.