Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fazlija: Serbia ka mbetur në një terr sportiv

Aferdita Fazlija

Ish-seleksionuesja e Kosovës në futboll në konkurrencë të grave, Afërdita Fazlija, ka thënë se ndeshja e së premtes mes Zvicrës e Serbisë, ishte më tepër se ndeshje futbolli.

Zvicra e fitoi ndeshjen me rezultatin 3:2 dhe u kualifikua në 1/8 e Botërorit “Katar 2022”. Xherdan Shaqiri shënoi një nga golat e Zvicrës, ndërsa Granit Xhaka ishte kapiten dhe shtyllë në mesfushë.

Të dy kishin qenë cak i fyerjeve nga publiku dhe lojtarët serbë.

“Është me u habit se si Serbia nuk reformohet në atë drejtim dhe vazhdimisht mundohet që nëpërmjet sportit me e përcjellë agresivitetin me shtetet e Ballkanit në përgjithësi”, ka thënë Fazlija në 60 Minuta të KTV-së.

Fazlija ka thënë se është e papranueshme se në çfarë dimensione është shtrirë ky fenomen i urrejtjes te Serbia.

“Nuk kam parë kombëtare të tillë, është një prej kombëtareve edhe në Evropë edhe në rajon, që njihet si promotorë e gjërave të këqija. Patëm rastin ta shohim këtë edhe në nivelin më të lartë, siç është Botërori”, tha Fazlija. “Unë mendoj se Serbia ka mbetur në një terr sportiv. Nëse e analizojmë ndeshjen, tensionet nuk ishin kundër kombëtares së Zvicrës, por ishin kundër dy shqiptarëve, me theks të veçantë liderit dhe kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës”, tha Fazlija.

Edhe AP: Rikthehet ndeshja e nxehtë e Zvicrës me Serbinë Sport AP: Rikthehet ndeshja e nxehtë e Zvicrës me Serbinë

Ajo thotë se çasja e shtetit serb ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

Fazlija ka thënë se gjithë ky tension ishte përgatitur qysh nga viti 2018. Dhe ishte për t’u habitur se gjithë publiku serb e bankina serbe, madje edhe seleksionuesi kishin orientim dy futbollistët shqiptarë.

Fazlija ka pasur vetëm fjalë të mëdha për Xhakën e Shaqirin.

“Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri e sportistët tjerë shqiptarë, janë historia e gjallë e rrugëtimit tonë, e vështirësive me të cilat është përballur populli shqiptar”, tha Fazlija.