Sport

Favella e Rios synon t’ua përmirësojë jetën fëmijëve përmes golfit

E shtuna nuk është ditë shkolle, kështu që fëmijët në favellën e Rio de Janeiros mbushin rrugët e pluhurosura duke luajtur futboll ose duke u shtirur si policë dhe grabitës nëpër rrugicat e rrezikshme.

Gjatë gjithë kohës prindërit po i vëzhgojnë ata, duke shpresuar që fëmijët e tyre të mos zbulohen nga tregtarët e drogës, që kërkojnë lajmëtarë dhe korrierë. Një person tjetër po i shikon. Marcelo Modesto ka lindur në një qytet më të qetë dhe ai synon të largojë disa fëmijë nga rrugët e favellës në përpjekje t'i kthejë ata në profesionistë të një sporti që shumë brazilianë e konsiderojnë elitar ose ekskluziv për të bardhët - golfin.

54-vjeçari Modesto ka hapur një qendër trajnimi golfi në zonën më të dhunshme të favellës. Pa financim publik ose privat, nga një pasion i thjeshtë për sportin, Modesto ka tërhequr 100 fëmijë me shpresën se disa prej tyre do të bëhen profesionistë të këtij sporti. Terreni stërvitor i golfit “City of God” është pjesë e një programi që shpreson t'i zhvillojë fëmijët nga një prej favellave më të dhunshme të Brazilit në lojtarë golfit, të cilët janë të ftuar të përdorin shtegun e ndërtuar për Lojërat Olimpike të vitit 2016. Territori i terrenit stërvitor është vetëm 1600 metra katrorë, që është shumë i vogël për këtë sport. Fëmijët e interesuar, të cilët janë kryesisht me ngjyrë, luajnë me shkopinj dhe topa të dhuruar. Në vend të vrimave, ata fusin topat në kova.

“Unë kam miq të cilët kanë vdekur dhe të tjerë që ishin burgosur. Ata nuk kanë mundësi si ato që kam pasur unë falë sportit të golfit”, thotë Modesto. “Kështu që, këtë mundësi po ua ofrojë këtyre fëmijëve”.

Modesto se pa golfin si një ide të mirë për t’u larguar nga rrugët e këqija. Kur ai ishte 20 vjeç dhe sapo kishte lënë ushtrinë, kriminelët e panë si një aset potencial të madh; ai ishte një djalë i ri, i cili dinte për të luftuar dhe për të gjuajtur me armë. Plus, ai kishte një lidhje me favellat.

“Kjo tronditi mua”, e pranoi Modesto.

Ajo që ndryshoi jetën e tij ishte një ftesë për të punuar në një klub golfi.

“Unë jam shumë mirënjohës ndaj golfit që ishte si një familje e dytë. Anëtarët e klubit janë si babai që unë kurrë nuk e kisha. Golfi u bë si një referencë në jetën time”, insiston ai.

Modesto shpreson se përhapja e nismës favellat e tjera, do t’i ndihmojë atij t’i përzgjedhë 60 fëmijë për t’i shndërruar në profesionistë. Ai tashmë ka përzgjedhur dy, që i sheh si lojtarë potencialë të golfit. Ray de Souza Teixeira, 13 vjeç, është tashmë i bindur se do të bëhet një lojtar profesionist edhe pse ai filloi të luante vetëm javën e kaluar.

“Askush nuk më kishte thënë ndonjëherë se golfi ekziston si sport në Brazil”, tha Teixeira. “Dua të luaj një turne profesional dhe të fitoj para për të larguar familjen time nga favella, ku jeta është shumë e vështirë. Sa herë që dëgjoj të shtëna, dikush vdes. Sa herë që ka një bastisje të policisë, dikush vdes. Golfi është gëzimi im tani”.

Shtegu olimpik ka parë pak veprime që nga Lojërat e vitit 2016. Shumë klube kanë anëtarësim kufizues dhe Brazili ka vetëm rreth 20.000 lojtarë të regjistruar, një shifër që nuk ka ndryshuar shumë që nga Olimpiada. Por asnjë nga këto nuk ka shumë rëndësi për Leijane Silva (50), e cila është gjithashtu vullnetare në projektin e golfit “City of God”. Gjithçka që ajo dëshiron është që vajza e saj, Sofia, dhe fëmijët e tjerë të qëndrojnë larg krimit.

“Unë thjesht dua që këta fëmijë të largohen nga rrugët dhe jam shumë mirënjohëse që vajza ime po synon këtë ta bëjë nëpërmjet golfit”, tha ajo.

Jack Correa, zyrtari i fushës olimpike të golfit të Rios, beson se fëmijët nuk do të zhgënjehen nëse nuk bëhen lojtarë profesionistë, sepse ka aktivitete të tjera rreth golfit që mund t'i tërheqin ata.

“Më shumë se 80% e shoqatës sonë janë ish-kuadro. Olimpiada e shtyu sportin përpara. Tani çdokush mund të luajë, të njohë sportin”, shtoi Correa

Modesto beson se projekti i golfit mund të përmirësojë gjithashtu pikëpamjet e shumë brazilianëve për fëmijët që vijnë nga favellat e Rios. Ai ka ambicie për të zhvilluar edhe sportet e tjera, ku fëmijët mund të përfshihen. Në planin e tij është tenisi dhe noti.

“Golfi ishte drita në fund të tunelit për mua”, tha ai. “Shpresoj se do të jetë e njëjta gjë për disa nga këta fëmijë. Unë besoj se në të ardhmen nga këto favella do të dalin shumë lojtarë të suksesshëm golfi”.