Skuadra e Brightonit ka bërë një goditje të madhe në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës. Ekipi nga Premier League, të premten e ka prezantuar sulmuesin e Spanjës, Ansu Fatin. Fati i është bashkuar Brightonit nga skuadra e Barcelonës.
Brightoni e ka huazuar 20-vjeçarin për një vit, ndërsa në fund të edicionit ka opsionin e blerjes së tij për 35 milionë euro.
Fati te Brightoni konsiderohet si transferim i madh duke pasur parasysh se vlerësohet si njëri prej talenteve më të mirë në futbollin evropian.
Ai është zhvilluar si lojtar në akademinë La Masia te Barcelonës, ndërsa me ekipin e parë ka debutuar në vitin 2020. Këtë edicion, ai ka regjistruar tri paraqitje në La Liga, ndërsa edicionin e shkuar pati 10 gola e 4 asistime në 51 ndeshje të luajtura të në gjitha garat.
Fati ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2027, ndërsa ka edhe 9 ndeshje e 2 gola të shënuar me Spanjën.