Një fans, që kishte fituar 20 mijë funte kur Leicester City fitoi titullin e kampionit në Premier Ligë pasi kishte vënë bast me kuotën 5000, ka mbështetur sërish këtë skuadër për të fituar titullin në sezonin e ri.
Por këtë herë, Leigh Herbert, ka vënë bast në kuotën 300 që Leicesteri të përsërisë ëndrrën e para tre vjetëve.
Herbert, 41-vjeçar, beson se skuadra, që aktualisht është e katërta në tabelë, është e mirë sikur ajo që triumfoi më 2016.
“Liverpooli ose Manchester City mund të dëshmojnë se janë tejet të fortë për ne, por kurrë nuk i dihet”, ka thënë zdrukthtari Herbert për “BBC”, transmeton Koha.net.
Leicesterit i duhet të fitojë ndaj Crystalit për të mbetur tetë pikë prapa liderit Liverpool.
Herbert, që kishte përcjellë ndeshjen e parë të Leicesterit kur ishte veç 10 vjeç, ka thënë se vjetët e fundit kanë qenë “çmenduri”.
Leicesteri përfundoi i 14-i në sezonin e parë kur u kthye në Premier Ligë më 2015 dhe më pas fitoi ligën nën urdhrat e Claudio Ranierit. Ranieri u largua pas startit të dobët sezonin pasues dhe pas tij u larguan edhe Craig Shakespeare e Claude Puel për t’i lëshuar vendin Brendan Rodgersit.
Muajin e shkuar, Leicesteri fitoi 9 me 0 si mysafir i Southamptonit për të thyer rekord.
“Ka qenë përzierje e emocioneve përgjatë vjetëve të fundit. Ka pasur shumë ngritje e rënie masive”, ka thënë ai teksa ka kujtuar pronarin Vichai Srivaddhanaprabha që vdiq sezonin e shkuar. “Vichai erdhi dhe kishte vizion për klubin, dhe bëri aq shumë për qytetin përmes punës humanitare. Ajo që ndodhi sezonin e shkuar ishte tejet e dhimbshme”.
Katër vjet më parë, Herbert kishte vënë bast në kuotën 5000 në para-sezon, pasi kishte pirë disa pije në një pushim. Ai kishte fituar 20 mijë funte dhe ka treguar se ato i shfrytëzoi për të blerë një veturë dhe për të shkuar në pushime.
Para këtij sezoni, ai kishte vënë bast 30 funte që Leicesteri të fitojë ligën me kuotën 300 dhe 250 që të hyjë në top-katërshe apo top-gjashtëshe.
“Do të fitoja rreth 7500 funte nëse përfundojmë në majë, por si fans i Leicesterit – edhe po të mos veja bast fare – do të isha i lumtur që do e fitonim ligën”, ka shtuar ai.