Fallon Sherrock po e kthen mendjen prapa për katër muaj, në një kohë kur bota ishte një vend shumë më i ndryshëm, kur ngjarjet sportive ishin të mbushura me tifozë dhe kur ajo për një periudhë të shkurtër ishte biseda kryesore e Britanisë.
Sherrock ishte bërë femra e parë që kishte mposhtur një mashkull në kampionatin botëror të pikados. Në fakt, ajo këtë e ka bërë dy herë dhe telefoni i saj nuk pushonte nga thirrjet, mesazhet e urimeve dhe mbështetja nga e gjithë bota, shkruan AP, transmeton KOHA.
Në mesin e atyre që e kishin përgëzuar ishte edhe aktorja Sarah Jessica Parker, e cila në “Instagramin” e saj me 6.2 milionë ndjekës kishte shkruar: “Ti ke bërë historinë dhe për një moment ke ndalur zemrat tona. Unë të kam përcjellë dhe jam në mesin e admirueseve më të flakta. Vazhdo kështu, je më e mira”.
“Ishte absolutisht diçka fantastike, të cilën as që e kam pritur. Nuk mund të besoja se Sarah më kishte dedikuar mua një postim”, kujton Sherrock, por momenti më shokues për të ishte kur mori mesazh nga Billie Jean King, legjenda e tenisit të femrave. “Dua të them që ajo është një nga femrat më të mëdha në sport. Të marrësh mesazh prej saj, ishte diçka e jashtëzakonshme për mua”.
Në të vërtetë, ajo po planifikonte të takohej me pionieren e femrave të tenisit në qytetin e New Yorkut gjatë muajit qershor. E gjithë kjo ishte planifikuar përpara se bota të bllokohej nga përhapja e papritur e pandemisë së koronavirusit.
“Shpresoj që të takohemi vitin tjetër. Dhe, shpresoj që Bille të më mbajë në mend”, qeshet Sherrock.
Por, vëmendja aktuale që ka marrë përhapja e koronavirusit ka pezulluar pothuajse sportin në përgjithësi. Për dallim prej sporteve të tjera që nuk mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre, pikado po mban turne të ndryshëm online, me garuesit që po luajnë nga shtëpitë e tyre. Sherrocku thotë se këto gara online ndihmojnë në mbajtjen e formës, por edhe i gëzojnë adhuruesit e këtij sporti.
“Ne po mundohemi që sadopak t’i vazhdojmë garat në këtë kohë pandemie, që ka ndërprerë gjithçka. Nuk është lehtë për askënd, sidomos për njerëzit e sportit. Shpresoj që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit”, tha Sherrock.