Portieri Ivan Provedel ka tërhequr vëmendjen me golin e shënuar në Champions, duke i siguruar Lazios barazimin 1:1 ndaj Atletico Madridit në kohën shtesë. Ai është bërë vetëm portieri i katërt që ka shënuar gol në Ligën e Kampionëve. Në fakt, Provedel ka shënuar gol edhe në vitin 2020 kur ishte pjesë e ekipit Juve Stabia, që bën garat në kategoritë më të ulëta të Italisë. Më poshtë disa fakte interesante për portierin 29-vjeçar.
Familja dhe Lev Yashin
Provedel ka lindur në Pordenone në vitin 1994 dhe mbushi 29 vjeç në muajin mars. Babai i tij Venanzio vdiq në vitin 2016 në moshën 82-vjeçare, ndërsa nëna e tij Elena është nga Rusia dhe ishte mësuese e anglishtes në Moskë. Prindërit e saj, gjyshërit e Provedelit jetonin afër shtëpisë së Lev Yashinit dhe gjyshi i portierit shërbeu në Ushtrinë Sovjetike me portierin legjendar.
“Gjyshi im ishte në ushtri me Yashinin dhe ata e njihnin njëri-tjetrin”, ka thënë Provedel në vitin 2021.
“Fakti që një i afërm i imi ishte mik i portierit të vetëm që fitoi ‘Topin e Artë’, më ka bërë të ëndërroj dhe të jem krenar”.
Sulmues
Ivan Provedel ka luajtur si sulmues deri në moshën 15-vjeçare. Kur mbushi 15 vjeç, ai iu përkushtua rolit të portierit. Provedel ka zbuluar se “ka rënë në dashuri” me rolin e portierit në vitin 2000, pasi i ka shikuar pritjet e Francesco Toldos në ndeshjen mes Italisë dhe Holandës në kuadër të “Euro 2000”.
“Kam luajtur si sulmues kur isha fëmijë dhe në moshën 15-vjeçare, për një moment mendova: ‘Do të largohem nga futbolli nëse nuk mund të vazhdoj karrierën si portier’. Një klub afër qytetit tim më dha mundësinë të futem në këtë rol. Dikush më tha se ishte tepër vonë për të pasur sukses si portier dhe se do të kisha dështuar”, ka thënë ai.
Çuditërisht, Toldo u bë trajner i Provedelit shumë vite më vonë kur portieri luajti për Italinë U20.
Karriera, tatuazhet dhe numri
Në vitin 2009, Provedel vendosi se donte të luante përgjithmonë si portier, kështu që ndoqi një program në Oderzo, në Provincën e Trevisos. Trajneri Renzo Zanet vendosi t'i jepte atij një shans në rolin e tij të ri dhe një vit më vonë Provedel iu bashkua Udineses. Ai nënshkroi për Chievon në moshën 18-vjeçare dhe më pas luajti për Pisan, Perugian, Modenan dhe Pro Vercellin në formë huazimi. Ai pësoi një dëmtim të rëndë në vitin 2017 kur luante për Empolin dhe pas një huazimi gjashtë mujor te Juve Stabia, iu bashkua Spezias, ku kaloi dy vjet dhe më pas u transferua te Lazio, me kërkesën e trajnerit Maurizio Sarri. Krahu i djathtë i Provedel është tërësisht i mbuluar me tatuazhe. Provedel luan me fanellën numër 94 që është viti kur ka lindur.