Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Fadil Vokrri” mezi po mirëmbahet, ndërsa Komuna e Prishtinës dhe FFK-ja flasin për stadiumin e ri me 25 mijë ulëse

Stadiumi i ri në Prishtinë pritet të ketë kapacitet prej rreth 25 mijë ulëseve. Kjo është bërë e ditur të hënën nga Federata e Futbollit e Kosovës, pas takimit që kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka pasur me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Takimi është mbajtur të hënën, ndërsa pos për stadiumin e ri, që nuk dihet kur do të nisë të ndërtohet e aq më pak kur do të përfundojë, është biseduar edhe për gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është në pronësi të Komunës së Prishtinës, ndërsa menaxhohet nga FFK-ja. Gjendja e terrenit në këtë stadium është shumë e rëndë. Por, me gjithë gjendjen e rëndë, këtë verë stadiumi do të shfrytëzohet pos për ndeshje futbolli edhe për mbrëmje boksi dhe koncerte.

“Presidenti Ademi e njoftoi të parin e Komunës së Prishtinës me gjithë orarin dhe vështirësitë që po i has federata me fushën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, duke pasur parasysh aktivitetet e ngjeshura të ekipeve kombëtare dhe katër klubeve tona, të cilat janë duke marrë pjesë në garat evropiane, e po ashtu edhe eventet e planifikuara në stadium. Kreu i FFK-së vuri në pah se është shumë e vështirë të ruhet fusha dhe nuk ka as hapësirë kohore për ta ndërruar barin. Prandaj, theksoi presidenti Ademi, jemi në situatë të vështirë pasi që Kosovës i ka mbetur vetëm ky stadium i kategorisë IV të UEFA-s. Me këtë rast, ai edhe një herë bëri thirrje që sa më parë të vazhdohet puna në stadiumet në të cilat janë ndërprerë punimet”, ka njoftuar FFK-ja.

Shumë njohës të futbollit e kanë vlerësuar të paqëlluar lëshimin e stadiumit për ngjarje tjera në kohën kur klubet e futbollit kanë ndeshje të shumta në kuadër të kupave evropiane. Por, në Komunën e Prishtinës kanë vlerësim tjetër.

“Nga ana e tij, kryetari i kryeqytetit premtoi se do të angazhohet për të rregulluar dhe përmirësuar gjendjen e stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Ai gjithashtu njoftoi se ditëve në vazhdim do të shpallet konkursi i kompanive projektuese për ta përzgjedhur projektin më të mirë për stadiumin e ri i cili do të ndërtohet në Prishtinë dhe do të jetë në shfrytëzim të plotë nga FFK-ja me ekipet kombëtare si dhe për ngjarje tjera të kryeqytetit. Ky stadium do të përmbushë standardet e UEFA-s dhe FIFA-s dhe do të shërbejë për ndeshjet zyrtare të garave kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Nuk ka afat se kur fillojnë punimet në stadiumin e ri dhe kur do të përfundojnë. Aktualisht stadiumi “Adem Jashari” është shndërruar në gërmadhë dhe pritet të fillojë renovimi i tij.

Edhe Kosova do të bëhet me stadium me 14 mijë ulëse në Hajvali Futboll Kosova do të bëhet me stadium me 14 mijë ulëse në Hajvali

Por, FFK-ja e Komuna planifikojnë stadiumin e tretë gjigant.

“Projekti do të mbështetet në bashkëpunimin midis Komunës së Prishtinës dhe FFK-së. Stadiumi i ri pritet të ketë një kapacitet prej rreth 25.000 ulësesh dhe do të plotësojë kërkesat e publikut të kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës”, shkruan FFK-ja.