Sport

“Euro 2020”: Pragmatizmi, çelësi i suksesit në futbollin pandemik

Kampionati Evropian është turneu i parë i madh ndërkombëtar i futbollit që zhvillohet që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit. Evropiani arrin në fund të sezonit më të ngjeshur në historinë e këtij sporti.

Shumë lojtarë do të jenë të rraskapitur. Lëndimet janë një shqetësim më i madh se kurrë. Përfaqësueset kishin pak kohë për të përsosur lojën dhe për të punuar në taktikat e tyre për shkak të sezonit të ngarkuar. Kurse oraret e ndeshjeve para turneut janë rregulluar në minutën e fundit, duke pasur parasysh kufizimet e udhëtimit në një pandemi dhe kërcënimit të virusit në çdo kohë. Përzgjedhësit do të futen të shqetësuar në Evropian nga frika se mund të mbesin pa lojtarët, që mund të lëndohen apo të preken nga koronavirusi.

“Mendoj se ky është një proces që ka vazhduar për ndoshta 40 vjet. Divorci i plotë i futbollit ndërkombëtar nga futbolli i klubeve është përshpejtuar nga COVID-19”, tha Jonathan Wilson, autori i librit “Inverting the Piramid: The History of Football Tactics”.

“Futbolli i nivelit të lartë të klubeve është tepër i sofistikuar, bazuar në punën e detajuar taktike dhe teknike në baza ditore. Në futbollin ndërkombëtar nuk mund ta bësh atë. Kështu që futbolli që shihni në nivelin ndërkombëtar është, nga nevoja, shumë më i thjeshtë se futbolli i klubeve”.

Përfaqësuesja që është më së afërmi për të zotëruar artin e futbollit të thjeshtë është Franca, kampionia në fuqi e Botës. Në Rusi tre vjet më parë, Franca kishte mesatarisht 48 për qind të posedimit të topit në ndeshje, ishte e 25-ta nga 32 skuadrat për shënimin e golave në zonën e penalltisë, kishte numrin e pestë më të ulët të krosimeve, ishte e pesta më e dobëta për distancën totale të përshkuar dhe mesatarisht kishte gjashtë goditje në portë për ndeshje - e dyta më e dobëta në turne.

Thënë thjesht, francezët mbroheshin në mënyrë kompakte, goditnin ekipet në kundërsulme dhe ishin klinikë në përfundimin e tyre. Ata ishin tepër të efektshëm edhe nga ndërprerjet, me golat me kokë të qendërmbrojtësve që rezultuan vendimtarë në fitoret në çerekfinale dhe gjysmëfinale.

“Nga një perspektivë taktike, loja e Francës ishte shumë e matur”, tha ish-futbollisti i mirënjohur nga Kroacia, Zvonimir Boban. “Franca kishte një administrimin të qëndrueshëm të Didier Deschampsit, i cili kishte një vizion të qartë dhe të saktë se si të shfrytëzonte maksimalisht lojtarët që i kishte në dispozicion dhe të shkonte deri në fund të turneut. Ai shkoi sigurt deri te fitorja”.

Pragmatizmi. Efikasiteti. Dhe, natyrisht, nuk ka mungesë cilësie me Kylian Mbappen dhe N’Golo Kanten në ekip. Duke pasur parasysh evolucionin e prekur nga pandemia gjatë 15 muajve të fundit, Franca do të jetë vështirë të ndalet në “Euro 2020”. Përfaqësueset e tjera që mund të lulëzojnë në kushtet më “të thjeshta” të përshkruara nga Wilsoni dhe të mbështetura nga analiza e Bobanit, janë Danimarka dhe Italia, të cilët kanë impresionuar gjatë kualifikimeve, ku aplikuan një mbrojtje kompakte. Nën drejtimin e Roberto Mancinit, Italia futet në Evropian me një serie prej 26 ndeshjeve pa humbje dhe vetëm katër gola të pranuara në kualifikime.

“Nuk mund të fitohet turneu i madh ndërkombëtar me futboll sulmues. Ekipet që kanë mbrojtje kompakte dhe aplikojnë një futboll pragmatik, do të fitojnë edhe këtë herë”, paralajmëroi Wilson.

Shembulli më i mirë për këtë është Liga e Kampionëve këtë sezon, ku ekipet me dy bilancet më të mira mbrojtëse, Chelsea dhe Manchester City, arritën në finale, me trajnerët e tyre që adaptuan planet e lojës në një qasje më të kujdesshme në epokën e pandemisë.

Presioni me energji të lartë u hodh poshtë kryesisht gjatë sezonit të klubeve dhe nuk pritet të shihet në Kampionatin Evropian, pasi ekipet kërkojnë të menaxhojnë lojtarët e tyre të lodhur gjatë turneut. Do të pritet që portierët të luajnë me top - pothuajse çdo skuadër i ka ata tani - dhe do të vijnë në shprehje mbrojtës sulmues, të cilët do të avancojnë përpara dhe do të mbulohen nga mesfushorët me mentalitet mbrojtës. Anglia, për shembull, ka zgjedhur katër mbrojtës të djathtë në skuadrën e saj. Nuk ka asnjë formacion standard midis ekipeve favorite, me Belgjikën dhe mbase Anglinë që do të startojnë me tre mbrojtës. Spanja zakonisht favorizon sistemin 4-2-3-1, ndërsa Franca, Italia, Holanda e Portugalia, do të vazhdojnë me 4-3-3.

Rritja e skuadrave në 26 lojtarë - në vend të 23 të zakonshëm - është një tregues tjetër i dëshirës për të zvogëluar ngarkesën pas sezonit të ngjeshur të klubeve. Ky ndryshim i shkon për shtati përfaqësueseve që kanë burime më të thella. E këtu përparësi ka Franca, e cila pothuajse për secilën pozitë në fushë i ka nga dy lojtarë cilësorë. Duke pasur parasysh bilancin e Francës në turnetë e fundit të mëdhenj, taktikën, cilësinë e lojtarëve dhe thellësinë e skuadrës, atëherë ekipi i Didier Deschampsit duket favoriti kryesor për të përfituar nga futbolli gjatë kohës së pandemisë.