Cristiano Ronaldo i rikthyer, Kylian Mbappe i pandalshëm dhe një Gjermani e ringjallur. Duke shtuar Anglinë e udhëhequr nga Harry Kane dhe Italinë si kampione aktuale, “Euro 2024” është garë plotësisht e hapur, shkruan agjencia AP.
Spanja nuk mund të harrohet asnjëherë.
Paparashikueshmëria e Kampionatit Evropian, që fillon të premten në Munih, e bën atë shumë tërheqës. Edhe me formatin e zgjeruar prej 24 përfaqësueseve, gjithmonë ekziston mundësia për befasi.
Greqia e dëshmoi këtë në vitin 2004. Danimarka ishte fituese në vitin 1992. Danezët as që ishin kualifikuar për Evropian, por u ftuan të marrin pjesë pas përjashtimit të Jugosllavisë.
Nikoqirja, Gjermania, shpreson të krijojë një atmosferë mikpritëse dhe festive për miliona tifozë të futbollit. Ata do t’i shikojnë ndeshjet në stadiume dhe në zona tifozësh në gjithë Gjermaninë. Gjermanët bënë pritje shembullore të Kupës së Botës 2006.
Por për dallim nga ai Botëror, Evropiani do të zhvillohet në situatë krejt ndryshe politike. Ngjarja më e madhe sportive evropiane prej që nisi pushtimi rus i Ukrainës, zhvillohet në hije të konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ukraina merr pjesë dhe mund të llogarit në pritje të ngrohtë në Gjermani. Në Gjermani, ukrainasit i luajtën edhe disa ndeshje kualifikuese. Rusia është përjashtuar nga kualifikimet. Është e suspenduar nga të gjitha garat e UEFA-s dhe FIFA-s.
Ndërkohë Gjeorgjia paraqitet në ngjarjen e parë të madhe të futbollit derisa kriza politike po thellohet në këtë vend. Vendi i Kaukazit Jugor është në valën e protestave kundër një ligji diskutabil që kundërshtarët thonë se godet lirinë e medias dhe do të pengonte përpjekjet për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Në BE, votuesit ende do të jenë duke diskutuar rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian kur ngjarja të fillojë. Rezultatet e hershme të së hënës treguan rritje të ndjenjës nacionaliste dhe të djathtës ekstreme që shpesh është shfaqur në stadiumit e futbollit, sidomos te tifozët ultras.
Si gjithnjë, huliganizmi është kërcënim potencial. Ndërkohë, kërcënimi i terrorizmit dhe dhunës politike është shqetësim edhe më i madh i sigurisë, pas një serie sulmesh ndaj politikanëve në Gjermani.
Autoritetet në Gjermani do të rrisin kontrollet kufitare gjatë turneut. Më shumë se 20 mijë policë do të jenë në detyrë.
Duke pasur për bazë tensionet rreth luftës në Gaza, UEFA dhe Gjermania shmangën shqetësimet edhe më të mëdha të sigurisë kur Izraeli u eliminua në plejof.
Sa i takon paraqitjes në fushë, ka arsye për të shpresuar në turne emocionues.
Anglia dhe Franca janë në mesin e favoritëve.
Tre vjet më parë Anglia u ndal në finale në gjuajtjet nga pika e bardhë. Jude Bellingham është shfaqur ndërkohë dhe është armë e fortë e selektorit Gareth Southgate. Phil Foden, po ashtu, është në moment të mirë. Harry Kane i realizoi 44 gola në 47 ndeshje te Bayerni dhe synon të tjerë në Evropian.
Franca, po ashtu, përjetoi dëshpërimin kur u mposht në penallti nga Argjentina në finalen e Kupës së Botës në Katar.
Mbappe është ylli kryesor, por ai rrethohet nga lojtarë të nivelit të lartë si Antoine Griezmann, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Ousmane Dembele e Kingsley Coman.
Ronaldo kthehet për të garuar në Evropë pasi shkoi në Arabi Saudite për të luajtur në nivel klubesh. Edhe në moshën 39-vjeçare, ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Manchester Unitedit është makinë golash. Ai shënoi dhjetë gola gjatë kampanjës së përkryer kualifikuese të Portugalisë.
Rreth Gjermanisë ka shumë dyshime pas dëshpërimit në ngjarjet e fundit të mëdha. Por trajneri Julian Nagelsmann ka përmirësuar disponimin e vendit nikoqir. Kanë shërbyer shumë fitoret në miqësore ndaj Francës dhe Holandës.
Është e rrezikshme të bëhen parashikime për Italinë. Italia dështoi të kualifikohet në dy Botërorët e fundit, por e fitoi Evropianin që ishte mes tyre.
Spanja po shikon të kthejë lavdinë e dikurshme pasi dominoi në futbollin ndërkombëtar nga viti 2008 deri në vitin 2012. Ka plot yje te Spanja. Rodri i Manchester Cityt pritet të ketë përgjegjësi të madhe, ndërsa Lamine Yamal i Barcelonës është prej atyre që pritet të shpërthejnë.
Kroacia është tjetër ekip për të shikuar. Ishte e treta në Botëror dhe e ka Luka Modriqin që vazhdon të jetë i rëndësishëm te Real Madridi.
Gjenerata e artë e Belgjikës ka shkuar , por belgët kanë synimet e tyre dhe po ashtu adutët. Ndër të tjera e kanë edhe Romelu Lukakun në sulm.
Nëse do të ketë një fitues të befasishëm, kandidate mund të jenë Austria, që impresionoi në kualifikime, dhe Danimarka, që ishte në gjysmëfinale në Evropianin e kaluar.
Në turneun që ka prodhuar disa prej befasive më të mëdha sportive, çdo gjë duket e mundur.