Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ersil Ymeri, idhulli i ri i llapjanëve

I mjaftoi një ndeshje me fanellën e Llapit për të fituar zemrat e tifogrupit “Legjendat”. Në fakt, mesfushori Ersil Ymeri ka dy paraqitje në këtë edicion me Llapin, por në ndeshjen e parë në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës bëri shpërthimin e tij.

Mesfushori nga Shqipëria, vikendin e shkuar ia dha fitoren Llapit në ndeshjen derbi kundër kampionit në fuqi, Feronikelit. Kjo ndeshje përfundoi 2:1 në të mirë të Llapit, me golat që mbanin firmën e Ymerit. Ymeri kishte luajtur edhe ndaj Dukagjinit, që përfundoi pa gola në Klinë. Ai te Llapi u transferua muajin e shkuar kur erdhi nga ekipi i Laçit, që bën gara në Kategorinë Superiore të Shqipërisë. Te Llapi presin shumë nga Ymeri që do të jetë një aset shtesë në garën për të siguruar një vend në Evropë për edicionin e ardhshëm. Vetë futbollisti pranon se ëndërron që me ekipin llapjan të luajë në garat evropiane, pasi për këtë edhe ka ardhur, shkruan Koha Ditore.

“Ende nuk kam luajtur në kupat e Evropës dhe besoj se këtë do ta arrij me ekipin e Llapit. Do të ishte një ëndërr e bërë realitet dhe shpresoj të jap kontributin tim për ta arritur këtë synim së bashku me ekipin”, thotë Ymeri.

Ai pranon se nuk ka pritur që në ndeshjen e parë në Podujevë të debutojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Thotë se roli i tij në fushë si mesfushor qendror e obligon që të jetë më afër portës kundërshtare dhe këtë e dëshmoi me golat ndaj Feronikelit. Ymerit i vjen mirë që me golat e tij gëzoi tifozët llapjanë, por shton se më shumë rëndësi ka fitorja e ekipit sesa paraqitja individuale.

“Kundër Feronikelit ishte ndeshja ime e dytë me Llapin, por e para në stadiumin tonë dhe ishte një ndjenjë e veçantë për shkak se të debutosh me dy gola të bën të ndihesh tepër i lumtur. Mbi të gjitha kur arrin ta gëzosh një qytet që e do shumë futbollin”, u shpreh Ymeri.

Edhe Llapi fiton me një tjetër gol të Hysenit Sport Llapi fiton me një tjetër gol të Hysenit

Edhe pse pranon se synim është dalja në Evropë, Ymeri thotë se është mirë që gjërat të merren ndeshje pas ndeshjeje. Sipas tij, dallimi është i vogël mes ekipeve në kreun e tabelës dhe Llapi, që ka një skuadër të mirë, mund të bëjë gjëra të mëdha deri në fund të këtij edicioni.

“Duke parë renditjen dhe diferencat e vogla që kanë ekipet njëra me tjetrën, ne duhet të fokusohemi vetëm në ndeshjet tona dhe t’i marrim me radhë. Kemi cilësi në ekip dhe mund të bëjmë gjëra të mira. Ka shumë ndeshje deri në fund dhe gjatë rrugës do të flasim edhe për objektivat tona të qarta”, shtoi ai... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)