Ensar Badalli nuk dëshiron ta humb asnjë meç në ring. Deri tash ia ka dalë.
Boksieri i klubit Prizreni tregon se nuk ka humbur asnjë prej 28 meçeve të deritashme, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. Ai po bëhet gati për triumfin e radhës. Tani përtej shteteve të Ballkanit. Synon të kthehet i pamposhtur nga një turne i boksit që do të mbahet në Francë.
Për të qenë i suksesshëm, Badalli stërvitet fort në një hapësirë të vogël në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
“Do të mundohem të mos kem asnjë humbje, por nuk i dihet. Nuk dua të kem asnjë humbje në karrierën time”, ka thënë Badalli.
Badalli vlerësohet shpresë e boksit të Kosovës, ndërsa karrierën e nisi në moshën 5-vjeçare. Ka qenë dëshira e tij të merret me sportin e boksit.
“Prej moshës 5-vjeçare më ka pëlqyer sporti i boksit. Kam shikuar shumë boks dhe u kam thënë prindërve të më regjistrojnë, pasi e kam në zemër. Që nga ajo kohë jam pjesë e klubit Prizreni, stërvitem me trajnerin dhe shokët e mi të klubit me përkushtim të madh për të arritur synimet”, ka theksuar Badalli.
12-vjeçari prizrenas ka synime të mëdha në karrierë.
“Kam dëshirë të shkoj në Olimpiadë dhe t’i sjell Kosovës medalje të arta nga ngjarje të ndryshme të mëdha”.
Badalli po shikon para drejt luftërave e fitoreve të radhës.
“Me kushtet jam i kënaqur, nuk kam asnjë pengesë. Shokët i kam shumë të mirë e po ashtu edhe trajneri merret shumë me ne. Gradualisht besoj se rezultatet nuk do të më mungojnë edhe në nivel senior”, ka deklaruar boksieri prizrenas.
Badalli model i ka dy ish-boksierët e klubit Prizreni, Armend Xhoxhajn dhe Naser Shalën.
Që të dy kanë pasur disa suksese, brenda dhe jashtë vendit. Atë që Xhoxhaj dhe Shala nuk kanë arritur t’i sjellin Kosovës, medaljen nga ngjarjet e mëdha të boksit, synon ta sjellë Badalli.
Trajneri i Prizrenit, Votim Zaplluzhani, është i bindur se Ensari do t’i arrijë synimet që ka në karrierë.
“Besoj se Ensari jo vetëm klubit, por edhe Kosovës do t’ia zbardhë fytyrën. Besoj se do të sjellë ndonjë medalje evropiane dhe botërore, por edhe të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Tash i mbetet vetëm punë me përkushtim të madh e po ashtu edhe fat në karrierë”, ka thënë Zaplluzhani.
Zaplluzhani e di më së miri se sa mund të arrijë Badalli. Boksieri i talentuar është rritur në duart e tij.
“Ensari si i vogël ka qenë i dhënë pas boksit. E ka adhuruar Armend Xhoxhajn, Naser Shalën dhe të tjerët e klubit. Ne si klub kemi investuar dhe do të investojmë pasi është talent i madh. Është i mirë në klub e po ashtu edhe në shkollë”, ka thënë Zaplluzhani.
Ensari shquhet për teknikën që ka. Është shpallur në tre turne boksieri më teknik.