Ezgjan Alioski nuk ka pritur që të kualifikohej në Kampionatin Evropian kur debutoi për Maqedoninë e Veriut në tetor të vitit 2013.
Maqedonia Veriore humbi 1:0 nga Uellsi. Në dhjetë ndeshjet e tij të para ndërkombëtare, Alioski pati nëntë humbje dhe arriti vetëm një fitore kundër Luksemburgut, shkruan Blick të shtunën.
Tani shtatë vjet më vonë, ai me përfaqësuesen e tij u kualifikua në Kampionatin Evropian për herën e parë në histori. Liga e Kombeve ia mundësoi një gjë të tillë. Në finale fitoi 1:0 kundër Gjeorgjisë, transmeton KOHA.
“Nuk ishte biletë falas për në Evropian. Ishim bindës në kualifikime. Përfunduam në vendin e tretë në një grup me Poloninë, Austrinë dhe Slloveninë. Në kualifikime të Botërorit barazuam me Italinë, sfiduam Spanjën, barazuam me Turqinë dhe mundëm Norvegjinë. Kemi brez të talentuar”, ka thënë Alioski.
Alioski shkoi në Zvicër në moshën katërvjeçare me familjen e tij dhe luajti si fëmijë te skuadra Flamatt, Fribourg dhe kaloi te Bernese Young Boys kur ishte vetëm 11-vjeçar. Disa herë i kishin thënë se ai nuk ka mjaftueshëm talent.
Megjithatë, nëpërmjet Schaffhausenit dhe Luganos, Alioski kaloi te Leedsi, u ngjit në Premier League me klubin me traditë në futbollin anglez, dhe tani u kualifikua në Kampionatin Evropian. Ai e vlerëson si momentin kryesor të karrierës së tij.