Sport

Alioski: Kupa e Botës është hapi i ardhshëm për Maqedoninë e Veriut

Kur Ezgjan Alioski la Luganon për të kaluar te Leeds Unitedi në vitin 2017, nuk ka pasur shenja për aventurat që e pritnin futbollistin.

Klubi të cilit iu bashkua po bëhej gati për një edicion të suksesshëm në kategorinë e dytë angleze, të tetin rresht në atë nivel garash. E përfundoi kampanjën në mesin e tabelës. Përfaqësuesja e Alioskit ishte edhe më keq. Kishte rënë në pozitën e 162-të në ranglistën e FIFA-s, pas 14 humbjeve në 18 ndeshje. Ishte pozita më e ulët ndonjëherë për Maqedoninë e Veriut.

Alioski ishte 25-vjeçar kur bëri lëvizjen. Ndonëse i talentuar, ai mbetej pak i njohur jashtë Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut. Për më tepër dukej se askush nuk e dinte pozitën e tij më të mirë.

Kishte nisur si mbrojtës i majtë, ndërsa u kthye në lojtar të krahut të djathtë te Lugano. U zhvendos sërish, në qendër të sulmit.

Por rritja e tij reflekton edhe rritjen e ekipeve të Alioskit. Leedsi i Marcelo Bielsas impresionoi dhe u kthye në Premier League. Ndërkohë Maqedonia e Veriut bëri histori duke u kualifikuar për Evropian dhe duke ia shkaktuar Gjermanisë humbjen e parë në kualifikime për Botëror në dy dekada. Alioski doli të jetë vendimtar.

Mbajtja e trajektores “drejt qiellit” është synimi aktual i lojtarit që ka lulëzuar qëkur u kthye në rolin e tij në krahun e majtë. Por para se të flisnim për sfidat e ardhshme, ishte koha që të reflektonim mbi ngjarjet dhe njerëzit që gjatë viteve të fundit kanë transformuar plotësisht jetën dhe karrierën e Alioskit.

FIFA.com: Ezgjan, ishte një vit i jashtëzakonshëm për Maqedoninë e Veriut. Si e vlerësoni kualifikimin në Evropian dhe atë fitore ndaj Gjermanisë?

Alioski: Ishte e mahnitshme. Gjëja më e madhe për ne, si ekip dhe si vend, ishte Evropiani. Ishte hap aq i madh për Maqedoninë e Veriut, që nuk e kishim bërë më parë. Por gjatë tërë rrugës ne kemi besuar. Me ekipin që kemi ndërtuar në pesë-gjashtë vjetët e fundit, ne e kemi ditur që jemi të fortë, që kualiteti është i lartë. Ka shumë talent dhe një miksim të mirë të lojtarëve të rinj me djelmoshat me përvojë. Jemi bërë grup i afërt në vitet e fundit pasi ekipi nuk ka ndryshuar shumë. Tani e kemi realizuar ëndrrën së bashku.

FIFA.com: Ishte e veçantë që goli i fitores në plejofin për Evropian u shënua nga Goran Pandev. Si është ai si lojtar dhe si personalitet?

Alioski: Unë e shikoj atë ndonjëherë dhe mendoj: ‘Ky është 38-vjeçar. Është e jashtëzakonshme. Imagjinoni sikur të ishte dhjetë vjet më i ri, do të mund ta fitonte Topin e Artë. Është lojtar i mahnitshëm. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me kualitetin dhe përvojën. Ai është po ashtu person i mirë. Nga mënyra se si sillet me ne ju nuk do ta kuptoni se ai ka fituar Ligën e Kampionëve dhe ka bërë gjithë këto gjëra të mëdha në karrierë. Gjenerata e re ka ardhur, por nuk do të ketë legjendë si Pandevi në këtë gjeneratë. Ai ka dhënë shumë për vendin dhe ekipin dhe është shembull për të gjithë. Është madhështore që ai do të jetë në një turne të madh pas gjithë këtyre viteve përpjekjesh të mëdha.

FIFA.com: Evropiani natyrisht është sfida e ardhshme e madhe. Por sa do të thoshte për ju që të luani në Kupën e Botës?

Alioski: Si çdo fëmijë që e do futbollin, unë jam rritur duke ëndërruar që të luaj në të gjitha këto gara të mëdha: Ligën e Kampionëve, Evropianin dhe Kupën e Botës. Dhe këto të dyja – Kupa e Botës dhe Liga e Kampionëve – janë tani synimet e mia të mëdha. Pasi e kemi mposhtur Gjermaninë duhet të besojmë se mund të arrijmë në Botëror. Sipas mendimit tim ne jemi më të mirë se Rumania, Islanda dhe ekipet e tjera në grup. Pra pse jo? Arritja në Kupën e Botës është përfundimisht hapi i ardhshëm që Maqedonia e Veriut duhet ta bëjë.

FIFA.com: Ajo fitore me Gjermaninë ishte befasi. A e keni pritur?

Alioski: E kemi parë se po vinte. Ne shkuam atje me shumë respekt duke ditur se përballë kemi kampionen e katërfishtë të botës, që ka lojtarë në top-skuadra. Por mendimi im është se futbolli ka ndryshuar shumë dhe ne po ashtu kemi lojtarë në top-klube, që luajnë në nivel të lartë. Ekipe si i yni mund të bëjnë befasi dhe ne tashmë ishim paraqitur mirë ndaj emrave të mëdhenj. Kemi barazuar 1:1 me Italinë, për shembull, dhe kemi menduar: Pse jo edhe me Gjermaninë? E kemi parë që gjermanët kanë pasur probleme në ndeshjet e kaluara dhe kemi besuar se të paktën mund të marrim barazim. Ndonëse posedimi u takoi gjermanëve, ata nuk kishin shumë gjuajtje në drejtim të portës. Kemi luajtur shumë mirë taktikisht, kemi luftuar si ekip i vërtetë dhe kemi luajtur me shumë karakter e zemër. Mendoj se e kemi merituar fitoren. Është dëshmi se sa shumë kemi arritur në vitet e fundit. Federata jonë meriton lëvdata po ashtu, për zhvillimin e lojtarëve të rinj. Po ashtu edhe trajneri që na ka udhëhequr mirë dhe gjithnjë ka besuar te ne.

FIFA.com: Si është Igor Angelovski si trajner. A ka ndonjë ngjashmëri me Bielsan?

Alioski: Është vështirë të bëhen krahasime pasi ata kanë filozofinë e tyre dhe personalitetin. Po ashtu puna për të drejtuar përfaqësuese dallon prej asaj në klub. Plus, Bielsa është i veçantë – nuk mund ta krahasoni atë me askënd, është unik. Atë që e kanë të njëjtë është se të dy e kryejnë punën e tyre mirë. Angelovski vërtet beson në vete dhe në lojtarët e tij. Për të është shumë e rëndësishme që të ketë raporte të mira me ne, që të ketë atmosferë të mirë në ekip dhe të bëjë që ne t’i besojmë vetes. Kur dilni në fushë me një trajner të tillë, të jep shumë siguri. Ndiheni të qetë. Dhe ju mund të shihni rezultatet. Prej vendit të 100-të në ranglistën e FIFA-s, jemi ngritur në vendin e 65-të.

FIFA.com: Por prapë Maqedonia e Veriut është përfaqësuesja më së ulëti e ranguar që luan në Evropian. A mendoni që rezultati me Gjermaninë do të frikësojë kundërshtarët?

Alioski: Shpresoj që jo, pasi për ne funksionon që të jemi autsajderë. Ne e shijojmë t’u tregojmë njerëzve se çfarë ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut. Gjithnjë kam thënë se ka shumë talent në regjionin tonë. Mungojnë vetëm paratë dhe infrastruktura që është në vende si Anglia. Por tani jemi kualifikuar dhe kemi shanse të mëdha për të ndërtuar për të ardhmen.

FIFA.com: Si e vlerësoni këtë rrugëtim te Leedsi me Bielsan?

Alioski: Unë gjithnjë u them njerëzve se Leeds Unitedi ka ndryshuar jetën time. Si futbollist gjithsesi, por edhe si person. Jam më i qetë, me më shumë përvojë dhe më i matur. Këtë e kam mësuar te Leedsi. Mund të them këtë edhe për Bielsan si trajner pas tre vjetësh së bashku. Ai më ka ndryshuar tërësisht pamjen për jetën dhe më ka përmirësuar aq shumë si lojtar. Mendoj se jam përmirësuar çdo ditë që kam punuar me një trajner si ai dhe jam shumë falënderues. E di që duhet të shijoj gjërat, pasi këta tre vjet ndonëse ishin shumë të mirë, kanë shkuar shumë shpejt. Premier League ishte përvojë e jashtëzakonshme për ne deri më tani. Unë dua të përfundoj sa më lart që të jetë e mundur pasi unë vërtet besoj se kemi ndërtuar një ekip të fortë dhe shumë të veçantë.

Përktheu: Arsim Maxhera