Anëtarë të ekipit të Brazilit që luajti në Botërorin e vitit 1982, janë ribashkuar për të kërkuar nga brazilianët që të punojnë së bashku dhe të dhurojnë para për të ndihmuar shtetin që të përballet me sukses me koronavirusin.
Në një iniciativë të Paulo Roberto Falcaos, 19 lojtarë, duke përfshirë Zicon, Juniorin dhe Leandron, kanë incizuar një video-mesazh duke bërë apel për donacione.
“Ekipi i vitit 1982 ishte i njohur për kreativitetin e tij, unitetin dhe etikën kolektive të punës”, ka thënë Falcao. “Tani po hidhemi në aksion sërish për Brazilin”.
Ish-mesfushori i Romës ka thënë se 500 mijë dollarë janë mbledhur për më pak se një javë.
Apeli i tij është i fundit në një seri përpjekjesh të lojtarëve aktual dhe ish-lojtarëve të Brazilit për të ndihmuar vendin nga Amerika e Jugut për të përballur pandeminë Covid – 19.
Më shumë se 900 brazilianë kanë vdekur nga virusi, ndërsa mjekët kanë drojë se numri i të vdekurve mund të rritet shumë nëse virusi depërton tutje në lagjet e mbipopulluara.
Edhe
Klubet braziliane ofrojnë stadiumet për të ndihmuar në luftën ndaj koronavirusit
Ekipi i Brazilit nga Botërori i vitit 1982 njihet si ekipi më i mirë që nuk e ka fituar ngjarjen kryesore të futbollit. Pasi mposhti Bashkimin Sovjetik, Skocinë, Zelandën e Re dhe Argjentinën, Brazilit i është dashur barazim ndaj Italisë për të kaluar në gjysmëfinale.
Por një tregolësh nga Paolo Rossi i ka dhënë Italisë fitoren 3:2 dhe i mundësoi asaj të kaloi deri në finale, ku Italia fitoi ndaj Gjermanisë Perëndimore.
Pos Socratesit, Waldir Peresit dhe Batistas, lojtarët tjerë të asaj gjeneratë të Brazilit janë gjallë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në iniciativën e Falcaos.