Federata e Futbollit të Egjiptit (EFA) e ka shkarkuar përzgjedhësin Ehab Galal pas vetëm tri ndeshjeve në krye të përfaqësueses egjiptiane.
54-vjeçari Galal e zëvendësoi Carlos Queirozin në muajin prill, pasi “faraonët” dështuan të kualifikoheshin për Kupën e Botës 2022.
Por, Galal u shkarkua pas disfatës befasuese 2:0 nga Etiopia në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Afrikës dhe humbjes 4:1 në miqësore nga Korea e Jugut.
Anëtari i bordit të EFA-s, Hazem Emam, ka thënë se po shikojnë mundësinë për përzgjedhjen e një trajneri të huaj.
Në ndeshjen e parë të muajit qershor, nën drejtimin e Galalit, Egjipti fitoi 1:0 ndaj Guinesë në kualifikimet për Kupën e Afrikës. Por i kushtuan dy humbjet e tjera, në të cilat nuk ishte i përfshirë sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, i cili ishte i lënduar.