Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Edhe një shqiptar në Bundesligën e Austrisë

Vesel Demaku është futbollisti i radhës shqiptar që i bashkohet një skuadre të Bundesligës së Austrisë. Demaku të hënën është zyrtarizuar te skuadra e Altachut. Në fakt mesfushori 23-vjeçar është huazuar tek Altachu nga Sturm Grazi, skuadra më e madhe austriake. Por te Sturmi nuk kishte hapësirë në Bundesligë dhe luajti vetëm në ekipin e dytë këtë edicion.

Altachu e ka huazuar Demakun deri në fund të edicionit, ndërsa e ka opsionin për të firmosur kontratë të rregullt me të më pas.

Te Sturm Grazi këtë edicion Demaku u grumbullua vetëm për një ndeshje të Bundesligës austriake, por nuk u aktivizua. Ndërkohë i luajti nëntë ndeshje për ekipin e dytë të Sturmit në kategorinë e dytë austriake. I kishte dy gola e dy asistime.

Ai në fakt ka përvojë të gjatë në Bundesligën austriake. I ka 80 ndeshje, një gol e tri asistime. Ndeshjet e para i ka luajtur në edicionin 2017/18. Shumicën e ndeshjeve i ka me Austria Vjenën, tri me Sturm Grazin e 13 me Austria Klagenfurt, edicionin e kaluar.

Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Austrisë, prej U15 deri në U21. Me Shpresat e Austrisë i ka 15 paraqitje, ndërsa gjithsej fanellën e përfaqësueses austriake e ka veshur në 45 ndeshje.

“Vesel Demaku sjell shumë përvojë të Bundesligës, me gjithë moshën e tij të re. Për shkak të situatës garuese, ai së fundi ka pasur vështirësi në Graz. Për këtë e kishim mundësinë e transferimit të tij. Pas lëndimit të Manuel Prietl, jemi të lumtur që kemi angazhuar një lojtar me përvojë për mesfushë. Ai do të na ndihmojë menjëherë dhe do t’u ofrojë trajnerëve më shumë mundësi”, ka thënë drejtori sportiv i Altachut, Roland Kirchler.

Vetë Demaku e ka vlerësuar lart kalimin tek Altachu.

“Mezi pres të filloj tek Altachu. Nga ndeshjet në udhëtim e di se atmosfera këtu është shumë e mirë dhe jam i lumtur që do ta vesh fanellën e skuadrës. I falënderoj përgjegjësit që më ndihmuan dhe bënë që të ndihem mirë gjatë bisedimeve. Jam i bindur se kemi shumë kualitet në skuadër dhe jam shumë i motivuar që të ndihmoj skuadrën në pranverë”, ka thënë Demaku.

Atdhe Nuhiu është pjesë e kësaj skuadre. Ditë më parë në Bundesligën e Austrisë u transferua edhe Valon Berisha.

Altachu është i dhjeti në tabelë me 16 pikë. Ka dy skuadra prapa në tabelë.

Artikuj të ngjashëm