Skuadrat kosovare të basketbollit vazhdojnë të përforcohen me lojtarë amerikanë.
Të gjitha skuadrat e Superligës kanë në përbërje tashmë lojtarë amerikanë, disa prej të cilëve luajnë edhe pa pagesë.
Të hënën një basketbollist amerikan e ka angazhuar Lipjani, që në xhiron e parë pësoi thellë nga Bashkimi.
Sipas Federatës së Basketbollit të Kosovës, Lipjani e ka paraqitur për regjistrim lojtarin Simuels Lamonte. Deri më tash Lipjani nuk ka pasur amerikanë në përbërje.
Ndërkohë Lipjani e pret Golden Eagle Yllin, të enjten nga ora 19:00 në kuadër të xhiros së dytë të Superligës në basketboll. Të mërkurën janë ndeshjet Trepça - Bashkimi (17:00) dhe Sigal Prishtina - Ponte Prizreni (19:00). Ndeshja Feronikeli - Rahoveci do të luhet më vonë, kurse Peja është e lirë në xhiron e dytë.