Provat te Drita e Gjilanit me sukses i ka kaluar edhe nigeriani Henry Onoka Austine. Është lojtari i dytë nga Afrika që kampionia e Kosovës e ka zyrtarizuar të premten.
Sipas njoftimit, 22-vjeçari Henry luan në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Ai deri më tani ka luajtur për Menemspor që bën gara në ligën e parë të Turqisë.
“Henry ka nënshkruar për dy vjet e gjysmë dhe shpresojmë shumë në kontributin e tij në vazhdim të kampionatit”, ka njoftuar Drita.
“Për mua është kënaqësi e madhe të jem pjesë e një klubi që është kampion dhe që lufton për trofe. Shpresoj që të bëj më të mirën për klubin dhe për tifozët, që sipas informatave që kam, janë më të mirët në vend”, ka thënë Henry Onoka Austine për sajtin zyrtar të Dritës.
Drita më herët të premten zyrtarizoi edhe nigerianin Esosa Priestley, që është sulmues i krahut të djathtë.