Edhe katër lojtarë tjerë të Sampdorias kanë dalë pozitiv në testet për koronavirus, pasi të enjten ishte bërë e ditur se Manolo Gabbiadini ishte prekur nga ky virus.
Media të ndryshme italiane kanë raportuar që futbollistët Omar Colley, Albin Ekdal, Antonino La Gumina dhe Morten Thorsby kanë dalë pozitiv në testet për koronavirus. Këtë më pas e ka konfirmuar edhe klubi italian i futbollit.
Deri të premten dy lojtarë të Serie A të Italisë ishin të infektuar. Bëhet fjalë për Gabbiadinin dhe lojtarin e Juventusit, Daniele Rugani.
Shumë skuadra italiane, duke përfshirë Juventusin, janë izoluar. Kampionati italian është suspenduar deri më 3 prill.
“Të gjithë ata janë në gjendje të mirë dhe në shtëpitë e tyre në Genoa. Të gjitha lokalet e klubit janë mbyllur, stafi është izoluar. Të gjitha aktivitetet sportive janë suspenduar”, ka njoftuar Sampdoria.