Më 9 shtator të vitit të ardhshëm duhet të luhet ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Por gazeta e madhe zvicerane, Blick, ka shkruar se përgjegjësit në Federatën e Futbollit të Zvicrës janë të brengosur për situatën e sigurisë në Kosovë, ndonëse ndeshja është shumë larg.
“Brengat për eskalimin militar në Kosovë po rriten. Pas Bjellorusisë, do të ishte kundërshtarja e ardhshme e Zvicrës në rrugën drejt Euro 2024 që do të futej në luftë”, ka shkruar gazeta e madhe zvicerane.
“Blick” ka komentuar se Zvicrën e presin shumë pyetje në Grupin I, sidomos jashtë fushës.
Zvicra më 25 mars luan me Bjellorusinë. Por është e paqarta se ku do të luhet ndeshja. UEFA nuk lejon ndeshje ndërkombëtare në Bjellorusi.
“Dhe përgjegjësit për ekipin nacionale janë aktualisht të brengosur për kundërshtarin e dytë nga grupi kualifikues. Në Kosovë, kriza në regjionin verior në kufi me Serbinë po bëhet më e madhe me çdo orë të kaluar. Gjithsesi, nëse një eskalim ndodhë edhe atje, ndeshja e Zvicrës në udhëtim më 9 shtator do të jetë më shumë se në pikëpyetje”, ka shkruar gazeta zvicerane.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës zvicerane, Robert Breiter nuk ka dashur të shikoi aq larg në të ardhmen.
“Aktualisht ne nuk e dimë se ku do të luhet ndeshja me Bjellorusinë”, ka thënë ai për “Blick”.
Edhe
Ndeshja Izraeli – Zvicra mund të shtyhet
Qipro është një opsion për ndeshjen ku Bjellorusia është vendase. Opsion është edhe Beogradi, ndërsa ndeshja do të luhet pa shikues. Në Serbi, Bjellorusia e ka luajtur ndeshjen e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në federatën zvicerane presin vendimin e UEFA-s.
“Nuk kemi ndikim në këto vendime”, ka thënë Breiter.