Amerikanja Katie Moon dhe australianja, Nina Kennedy, kanë vendosur ta ndajnë medaljen e artë në garën e kërcimit me purtekë, në një tjetër moment magjik të Kampionatit Botëror të atletikës.
Gara e jashtëzakonshme e kërcimit me purtekë u zhvillua të mërkurën mbrëma në Botërorin në Budapest.
Vendimi i tyre për të ndarë të artën bëri jehonë të ngjashme me vendimin e Mutaz Barshim të Katarit dhe Gianmarco Tamberi të Italisë për të ndarë të artën në kërcim së larti në Lojërat Olimpike të Tokios.
Dy atletet kërcyen në lartësi prej 4.90 metra në finalen dramatike që zgjati dy orë e 10 minuta. Por Moon dhe Kennedy dështuan në tri tentimet për kërcim prej 4.95 metra. Dhe vendosën të ndajnë fitoren në vend se të bëjnë kërcimin vendimtar.
“Kam kërcyer përtej mundësive sonte. Ishte shumë e çmendur”, ka thënë Kennedy. “Nuk mund ta shpjegojë. Ishte e pabesueshme. Kam kërcyer 4.82 dy apo tri vjet më parë dhe e kam ditur se kam potencial. Është ëndërr e realizuar. E kam ditur se mund të zë vend në podium, por është mrekulli që kam fituar të artën. Mendoj se mrekullia ndodhi sonte”.
Edhe
Nina Kennedy fiton të artën në kërcim së larti
Ishte titulli i dytë rresht i botës për Moon, që po ashtu ka të artë olimpike nga Tokio. Me rezultatin më të mirë personal prej 4.95 metra dhe rezultatin më të mirë të stinorit prej 4.90 metra, 32-vjeçarja ishte favorite.
Por Kennedy kishte ide të tjera. Ajo tejkaloi rekordin australian dhe rekordin personal për tetë centimetra kur kaloi pengesën prej 4.90 metra.
Moon dhe Kennedy kanë biseduar shkurt pas tri dështimeve që kishin dhe më pas njoftuan për vendimin.
Moon ka thënë se ndarja e medaljes nuk ishte opsion kur nisi gara.
“Por tani jam plotësisht e lumtur. Ishte betejë e çmendur”, ka thënë atletja amerikane. “Kur u kuptua që vetëm Nina dhe unë do të kërcejmë, shfaqja filloi. Mendoj se e kemi motivuar njëra-tjetrën. Kur ajo kishte tentim të suksesshëm, kam dashur ta kem edhe unë. Ishte e lodhshme, por ia vlejti. Çfarë mbrëmje e mahnitshme ishte. Shpresoj që të gjithë e kanë shijuar. Ne e kemi shijuar”.
Wilma Murto e Finlandës fitoi të bronztën me kërcim prej 4.80 metra.
Edhe
Olyslagers e Australisë fiton të artën në kërcim së larti
Gjatë garës së kërcimit në purtekë, atmosfera në stadium ishte shumë e bukur.
“Kam ndjerë se i gjithë stadiumi po shikon secilin kërcim që bënim. Tifozët ishin pranë nesh sonte. Ishte e pabesueshme”, ka thënë Kennedy.