Sport

E bronzta e Erzës, sinjali që Kuka e ka pritur nga xhudistet e reja

Edhe shumë medalje e suksese priten nga Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Loriana Kuka. Ato tashmë janë xhudiste elitare, Nora e Distria me medalje të arta olimpike, por janë në kulmin e karrierës dhe po punojnë maksimalisht për suksese të reja.

Por trajneri Driton Kuka pret shumë edhe nga xhudistet e gjeneratës më të re. Ndër të tjera pret shumë nga Erza Muminoviq e Fationa Kasapi. Prej Erzës sidomos, por edhe prej Fationës, të enjten Kuka ka marrë sinjal shumë pozitiv. Ndonëse nuk ishte afër tyre në garë, Kuka ka vlerësuar paraqitjen që Erza e Fationa kishin në Evropianin për juniorë (U21), që të enjten filloi në Luksemburg.

Erza Muminoviq ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive të xhudos kosovare. Ajo ka fituar medalje të bronztë evropiane. Për 19-vjeçaren është medalja e parë evropiane në nivelin e senioreve. Ndërkohë Fationa është ndalur në luftën e parë, por trajneri Kuka ka vlerësuar se ajo ka luftuar mirë.

Erza Muminoviq ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë. Fitoi fillimisht ndaj spanjolles Marina Castello Diaz. Në luftën e dytë e mposhti britaniken Sian Bobrowska. Një moment pakujdesie i kushtoi në luftën e tretë, përkatësisht në çerekfinale. Humbi nga rusja Liliia Nugaeva. Në repesazh fitoi fillimisht ndaj çekes Marie Polnicka e më pas ndaj italianes Federica Silveri. Garën e mbylli me “Ippon”.

Pas përfundimit të Lojërave Olimpike, trajneri Driton Kuka kishte më shumë kohë të punonte me xhudistët e rinj. Dhe frytet po vijnë menjëherë. Medalja e Erzës është dëshmi për vazhdimësinë në ekipin e Kosovës në xhudo. Ajo ka pasur suksese kulmore te kadetet, por më pas ngeci në nivelin junior dhe senior. Me medaljen në Luksemburg ka dëshmuar që megjithatë potenciali nuk i mungon dhe se është në rrugën e duhur. Për këtë është i bindur trajneri Kuka.

Ai në fakt e vlerëson proces të komplikuar kalimin e xhudistëve nga niveli i të rinjve në nivelin e të rriturve. Shumë sportistë në botë nuk e kalojnë me sukses këtë ndryshim.

“Detajet e ngritjes prej xhudos së fëmijëve drejt xhudos garuese me nivel serioz janë vërejtur në luftërat e të dyjave. Ky është sinjal që sigurt po ngritën drejt nivelit serioz”, ka thënë Kuka për KOHËN. Ai ka vazhduar punën me ekipin e Kosovës, ndërsa në Evropian ka udhëtuar asistenti i Kukës, Fatos Tabaku.

“Nëse vazhdojnë me punë të madhe e serioze, pritjet janë të mëdha natyrisht si nga Erza ashtu edhe nga Fationa. Por shenja që janë në rrugë të mirë kanë dhënë sot, pa asnjë dilemë. Fationa ishte pa fat, ndonëse luftoi mirë. Erza ka shfaqur nivel të mirë të xhudos. Të dyja më kanë dhënë sinjalet e duhura për t’i ngritur drejt majave botërore”, ka shtuar Driton Kuka.

Në Tokio 2020, Kosova fitoi medalje të arta me Nora Gjakovën e Distria Krasniqin. Kosova kishte pesë norma në xhudo. Është dëshmi që xhudoja ka shumë dallim me pjesën tjetër të sportit kosovar.

Dhe ky hendek sa shkon e rritet.