Sport

E arta, sinjali i duhur i Distrisë para kthimit në Paris për Lojërat Olimpike

Ka vlerë të shumëfishtë medalja e artë e Distria Krasniqit e fituar të premten në Grand Slamin e xhudos në Paris. Ky është edicioni i 50-të i garës më të famshme të xhudos, me emrin Grand Slam. Distria i fitoi 1.000 pikë që do ta forcojnë në pozitën e parë në ranglistën botërore. Ajo nuk kishte të artë prej një viti. Realizoi hedhje të shumta gjatë tërë ditës. Dhe, më e rëndësishmja: dha sinjalet më të mira të mundshme dhe mori zemër para kthimit në kryeqendrën franceze për ngjarjen më të madhe të mundshme – Lojërat Olimpike.

“Krasniqi ka konfirmuar se do të jetë njëra prej favoriteve gjatë verës për të fituar një tjetër titull (olimpik), në një kategori të re, që do të ishte e mahnitshme. Për momentin Distria vazhdon të fokusohet në xhudon e saj dhe fitorja në finale erdhi me një o-uchi-gari në kohë të përkryer, që befasoi Gilesin. Medalja e artë ishte për Distria Krasniqin në rrugën e saj për në Lojërat Olimpike të Parisit”, ka shkruar Federata Ndërkombëtare e xhudos.

Distria për herë të tretë ka fituar të artën në Grand Slamin e Parisit, ndërsa tani i ka shtatë medalje në këtë ngjarje, si pak xhudistë të tjera.

Në finale, para rreth 15 mijë shikuesve, e mposht britaniken Chelsie Giles. Ndaj saj fitoi me uazari, ndërsa luftën e kontrolloi gjithë kohën. Me britaniken, Distria tani ka katër fitore e një humbje.

28-vjeçarja Krasniqi nisi ditën me fitore për nëntë sekonda ndaj francezes Leonie Gonzalez. Më pas e mposhti për 37 sekonda jugkoreanen Seyun Jang. Me fitore me Ippon vazhdoi në çerekfinale. Për 2:12 minuta e kaloi Khorloodoi Bishreltin, që përfaqëson Emiratet e Bashkuara Arabe. Më shumë u sfidua në gjysmëfinale, ku e mposhti japonezen Kisomi Omori. Ndaj saj fitoi me uazari. Dominimin e vazhdoi në finale.

“Paraqitje e mirë e Distrisë në garën më të bukur, në praninë e 15 mijë shikuesve. Xhudoja vazhdon të japë shumë për Kosovën dhe shqiptarët me suksese e medalje”, ka shkruar trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Vetë Distria e ka vlerësuar shumë lart paraqitjen. Ajo ka thënë se i pëlqen atmosfera në arenën “Bercy”.

“Ishte ditë e përkryer për mua. Kam luftuar vërtet fort dhe kam pasur ndjenjën se nuk mund të mposhtem. Arena do të thotë shumë. Me të hyrë në këtë arenë, ndihem mirë. Kam kujtime shumë të mira dhe ndihem si në shtëpi këtu. Për finale ishte e qartë: pasi kam humbur katër finale rresht, tri prej tyre në Grand Slame, kam dashur të filloj më mirë këtë herë. Ky ishte urdhër nga trajneri im”, ka thënë Krasniqi.

Distria ka thënë se nuk është e lehtë të përballesh me britaniken Giles. Thotë se të gjitha luftërat me të janë të forta.

“Në verë do të luftojë për medalje tjetër olimpike. Tani jam kthyer në rrugën e fitoreve, po ndihem mirë. Çdo gjë po shkon sipas planit. Dhe po, nuk mposhtem lehtë në Paris. Kështu do të jetë edhe në Lojëra Olimpike”, ka theksuar Distria Krasniqi.