Sport

E argjendta me shumë vlerë e Distria Krasniqit

Francezja Amandine Buchard i doli në rrugë Distria Krasniqit drejt synimit për ta fituar Mastersin e xhudos për herë të pestë. Distria të premten në Budapest e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në Masters paraqiten vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori, ndërsa Distria kishte katër të arta rresht.

Finalja ishte jashtëzakonisht e fortë, sidomos lufta për gard. Finalja shkoi në kohën shtesë, ku Buchard realizoi uazari për fitore.

E argjendta e Distrisë megjithatë, ka vlerë shumë të madhe. Ndër të tjera, i siguroi 1260 pikë në ranglistën botërore, më shumë se medalja e artë në garat Grand Slam. Distria është e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë dhe me këto pikë vetëm do të forcohet në krye. Kështu ajo do ta ketë qetësinë që të përgatitet si duhet për Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm.

“Tani e tutje mund të koncentrohemi plotësisht në përgatitjet për Olimpiadë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ai ka folur për Unionin Evropian të Xhudos para finales së Distrisë.

Buchard tani udhëheq 3:1 ndaj Distrisë, por edhe një herë u dëshmua se këto dy xhudiste janë në një nivel. Mbi to aktualisht është vetëm japonezja Uta Abe, që nuk mori pjesë në Masters.

Sigurisht Distria ka mësuar gjëra të reja për Buchardin dhe do të jetë edhe më e përgatitur për luftën e ardhshme me francezen cilësore, që ka medalje olimpike, botërore e evropiane.

“Lufta ishte shumë e fortë. Distria e Buchard kanë nivel të barabartë. Disi në finale nuk e kishte plotësisht konceptin e duhur. Por medalja është me shumë vlerë. Paraqitja e Disit ishte e mirë”, ka thënë Kuka për KOHËN.

Deri në finale, Distria Krasniqi dominoi plotësisht. Si e para në ranglistën botërore, ishte bartëse e parë. E mposhti fillimisht belgen Amber Ryheul e më pas gjermanen Mascha Ballhaus. Në gjysmëfinale e kaloi hungarezen Reka Pupp. Në të tri duelet Distria ishte impresive, duke mos u rrezikuar asnjëherë.

“Më e pakta që mund të themi është se Krasniqi ishte sot në nivel të lartë. Fitoi pa vuajtje tri duelet e para. Hungarezja Pupp, me gjithë mbështetjen e publikut, nuk mundi të bënte asgjë ndaj kosovare”, ka shkruar IJF.

Do të ketë gara tjera të mëdha për Distrinë këtë vit, por edhe në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm. Megjithatë fokusi i saj do të jetë të përgatitet për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Me paraqitje në Masters dëshmoi se është në rrugën e duhur.