Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Distria Krasniqi, nënkampione evropiane

Distria Krasniqi ka vazhduar me suksese në xhudo. Të premten në Montpellier të Francës, Distria fitoi medalje të argjendtë evropiane. Medaljen evropiane, Distria e fitoi në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ishte bartëse e parë.

Në finale u mposht nga francezja Amandine Buchard, bartësja e dytë dhe medalistja olimpike, botërore e evropiane. Me Buchardin, Distria tani ka një fitore e katër humbje. Këtë vit bilanci është 2:1 në të mirë të xhudistes franceze. Finalja ishte e fortë, ndërsa u dominua nga Distria. Ajo kishte iniciativën vazhdimisht dhe kërkoi hedhjen. Në kohën shtesë, kur Buchard kishte dy dënime, një situatë në dukje e parrezikshme, vendosi fituesen. Buchard përfitoi nga lufta në dysheme dhe me mbajtje siguroi fitoren dhe medaljen e artë.

Deri në finale, Distria arriti me tri fitore. Në raundin e dytë e mposhti me dy uazari kroaten Ana Viktorija Puljiz, medaliste nga Evropiani i vitit të kaluar. Në çerekfinale, Distria ishte më e mirë se xhudistja e Azerbajxhanit, Gultaj Mammadaliyeva. Azerbejxhanasja pësoi tri dënime dhe kështu Distrisë i takoi fitorja me Ippon. Në mënyrë të njëjtë fitoi në gjysmëfinales ndaj italianes shumë të suksesshme, Odette Giuffrida. Lufta me Giuffridan ishte shumë e fortë, ndërsa italianja mori dënimin e tretë në kohën shtesë.

Distria tani ka pesë medalje evropiane. Në vitin 2018 ishte nënkampione. Në vitin 2020 u rendit e treta, ndërsa kampione ishte në vitin 2021. Vjet po ashtu fitoi medalje të bronztë. Medalja e argjendtë e Distrisë ishte e 20-ta për Kosovën në Kampionate Evropiane për seniorë.