Juventusi ka filluar përgatitjet për ndeshjen e mbetur kundër Napolit, duel që do të zhvillohet të mërkurën.
“Zonjës së Vjetër” që barazoi në derbin lokal kundër Torinos 2:2, i janë kthyer tre lojtarë.
Paulo Dybala, Weston McKennie dhe Arthur Melo, i janë bashkuar skuadrës në stërvitje. Të tre lojtarët ishin të dënuar nga klubi për shkeljen e protokollit COVID-19 javën e kaluar dhe u lanë jashtë në derbin ndaj Torinos.
Dybala, McKennie dhe Arthuri do të jenë të gatshëm për ta ndihmuar Juven për ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Napolit.
Ky duel i takon javës së 3-të të Series A dhe është shtyrë që nga muaji tetor.
Në fakt, fillimisht ishte regjistruar me rezultat zyrtar në favor të Juventusit pasi Napoli nuk kishte udhëtuar për ta zhvilluar ndeshjen për shkak se nuk ishte lejuar nga autoritet lokale te Napolit. Por, më pas u vendos që dueli të luhet me 7 prill.