Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dy zgjedhjet e mira të Zenelit: Reimsi dhe Kosova

Në intervistën e parë si lojtar i Reimsit, Arbër Zeneli ka folur për arsyet që e shtyn të lërë Suedinë dhe të luajë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ylli i Kosovës, Zeneli, në fundjavë u transferuar nga Heerenveeni holandez te Reimsi i Ligue 1 të Francës. Me Reimsin, 23-vjeçari i lindur në Suedi, ka firmosur kontratë të vlefshme deri në qershor të 2023.

Ky është transferimi më i madh në karrierën e deritashme të Zenelit, por ai kishte bërë një transfer goxha të madh edhe në nivel përfaqësuesesh. Pasi kishte luajtur për ekipet U-17, U-19 e U-21 të Suedisë, Zeneli në vitin 2016 vendosi t'i bashkohej Kosovës, transmeton Koha Ditore.

Me U-21 të Suedisë e kishte fituar edhe evropianin madje. Ai është pyetur në intervistën e bërë për sajtin e Reimsit për kalimin nga Suedia te Kosova.

"Po, ishte vështirë për mua pasi isha pjesë e ekipit që fitoi Evropianin U-21 dhe më pas kam ndier që ata duan të më japin një rast, por në fakt nuk e kanë bërë asnjëherë. Kjo është njëra prej arsyeve pse zgjodha Kosovën, por nuk është arsyeja e vetme. Po ashtu kam zgjedhur me zemër, pasi prindërit e mi janë nga Kosova. Ndonëse nuk kam lindur atje, unë kam gjak shqiptar. Jam shumë i lidhur me rrënjët e mia. Dukej të jetë vendim i drejtë dhe unë jam krenar të jem pjesë e këtij ekipi", ka thënë Zeneli për sajtin e Reimsit, skuadër kjo mesatare e kampionatit francez.

Ai ka folur të martën, para stërvitjes së parë me skuadrën e re. Zeneli është shpallur lojtari më i mirë i Kosovës për vitin e kaluar, ndërsa tashmë vlerësohet prej më të rëndësishmëve në përfaqësuese. Në Holandë është paraqitur në nivel të lartë, ndërsa pritjet janë të mëdha prej tij edhe në skuadrën franceze.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).