Milani dhe Interi do të takohen të dielën në njërin prej dueleve më interesante në futbollin evropian.
Të dyja ekipet janë në luftë për titull kampioni, por që të dyja në skuadër kanë ish-lojtarë të Real Madridit dhe që të dy janë mbrojtës të krahut.
Theo Hernandez i Milanit ka thënë se vendimi për t’u larguar nga Real Madridi ka qenë më i miri për të, dhe për kundërshtarin e tij, Achraf Hakimi, që paraqitet me Interin.
“Kemi luajtur pak në Madrid dhe gjëja më e mirë për mua dhe për të është largimi nga Real Madridi. Nëse je atje dhe nuk luan, nuk je i lumtur dhe nuk mund të kesh mundësitë që i dëshiron. Kemi bërë më të mirën dhe jemi tani në Milano. Achrafi është lojtar i jashtëzakonshëm, ka shumë talent, shpejtësi, kualitet dhe kemi ngjashmëri pak a shumë. Nuk do t’i them asgjë në derbi. Nuk do të them asgjë, pasi në fushë jemi armiq, por jashtë fushës jemi shokë të mirë”, ka deklaruar Theo Hernandez.