Emocionet do të shfaqen dhe pikët e plota do të jenë në mendjen e futbollistëve kur Paris Saint-Germaini të luajë në shtëpi kundër Milanit, të mërkurën mbrëma në kuadër të Ligës së Kampionëve. Portieri Gianluigi Donnarumma, i cili iu bashkua PSG-së dy vjet më parë si lojtar i lirë pasi u largua nga Milani, do të përballet me ish-ekipin e tij, ndërsa vëllezërit Lucas dhe Theo Hernandez do të përballen për herë të parë me njëri-tjetrin.
“Do të ketë shumë emocione. Do të jetë ndeshje e veçantë”, tha Donnarumma të martën. “Por, të gjitha këto emocione duhet t’i lë anash dhe të mendoj për ndeshjen dhe fitoren e Parisit. Ndihem mirë te Parisi, është sikur një familje e madhe, e ngjashme si te Milani. Gjithmonë do t’i jem falënderues Milanit, por tani dua të jap gjithçka nga vetja për Parisin”.
Donnarumma ka regjistruar më shumë se 250 ndeshje për Milanin në të gjitha garat, pasi debutoi me ekipin e parë në moshën 16-vjeçare. Pas dy javësh portieri 24-vjeçar do të luajë në stadiumin “San Siro” për herë të parë si kundërshtar i Milanit.
Në Itali, Donnarumma mund të ketë pritje armiqësore. Tifozët e Milanit ishin të pakënaqur me mënyrën se si Donnarumma u largua nga klubi dhe ai u vërshëllye nga një pjesë e tifozëve kur luajti për Italinë kundër Ukrainës në “San Siro” në shtator.
“Gjithmonë i kam dhënë gjithçka Milanit, kështu që nuk është shumë bukur të dëgjosh të gjitha këto kritika”, pranoi Donnarumma. “Por unë jam i fokusuar te ndeshja dhe vetëm te ndeshja për të mos u kapluar nga emocionet”.
Edhe
Drejtori i PSG-së tregon pse u largua Donnarumma
Si PSG-ja ashtu edhe Milani do të kërkojnë të rrisin shanset e tyre për t'u kualifikuar në fazën nokaut të Championsit. Parisi është në vendin e dytë në Grupin F, një pikë prapa liderit Newcastlet, pas humbjes 4:1 që e pësoi nga ekipi anglez. Skuadra franceze mundi Borussia Dortmundin në ndeshjen e parë dhe ka tubuar tri pikë.
Milani, i cili arriti në gjysmëfinale edicionin e kaluar, është një pikë prapa Parisit, pasi filloi garën në Champions me dy barazime pa gola - kundër Newcastlet dhe Borussia Dortmundit. Milani u mund nga Juventusi 1:0 fundjavën e shkuar për t’ia lëshuar lidershipin në Serie A, Interit, rivalit të qytetit.
Pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj Juventusit e luajti me 10 lojtarë dhe i mungonin dy nga lojtarët kryesorë. Portieri Mike Maignan, i cili u rrit në ekipin e të rinjve në PSG, por nuk luajti kurrë ndeshje për ekipin e të rriturve, dhe Theo Hernandez, ishin të pezulluar. Të dy kthehen në përbërjen e parë të Milanit për duelin ndaj Parisit, ku Theo do të përballet për herë të parë me vëllain e madh, Lucasin. Vëllezërit luajtën në Spanjë në të njëjtën kohë - Theo për Real Madridin dhe Lucasi për Atletico Madridin - por kurrë nuk u zgjodhën të dy në ndeshjet midis skuadrave të La Ligas.
Theo është një nga lojtarët më të mirë të Milanit. Shquhet për aftësitë e tij mbrojtëse dhe gjithashtu për vrapimet në sulm në krahun e majtë. Ai luan shpesh me vëllain e tij te Përfaqësuesja e Francës. Lucas Hernandez luan në një pozicion më qendror te Franca sesa në PSG, ku përdoret më shpesh si mbrojtës i majtë.
Edhe
Donnarumma te Manchester City
“Kur pashë se do të ishim përballë njëri-tjetrit, e thirra menjëherë”, tregoi Lucas Hernandez. “Nuk jemi përballur kurrë me njëri-tjetrin. Dhe të luash kundër vëllait tënd, në një ndeshje të Championsit, është e pabesueshme”.
Ai më pas shtoi duke qeshur: “Do t’i kërkoj trajnerit të më vendosë në të djathtë që të mund të jem përballë tij”.